Ministria e Shëndetësisë të krijojë një strategji për mbrojtje nga virusi Omicron

24 dhjetor 2021 | 23:47

Në seancën e Kuvendit që u mbajt të premten, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka ngritur një çështje, të cilën e vlerësoj se është e jashtëzakonshme, që ka të bëjë me variantin e virusit Omicron, i cili po depërton gjithandej botës dhe në Evropë.

Ai ka thënë se shtetet e ndryshme kanë marrë masa rigoroze ndaj variantit të këtij virusi, e njëkohësisht pritet që ta prekë edhe Kosovën.

“Andaj, kërkesa ime për Ministrin e Shëndetësisë, i cili nuk ishte prezent në seancë, ishte se duke marrë parasysh që tash e dhjetë muaj kemi parë një Qeveri që reagon në probleme, por nuk ndërton politika proaktive ndaj problemeve, siç është ai i energjisë elektrike. Pra, e kemi ditur para gjashtë muajsh që do të kemi krizë energjetike dhe tash ka një reagim nga Qeveria, por nuk ka një politikë proaktive për të pasur një strategji të veprimit në të gjitha temat”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka theksuar se njësoj ka qenë edhe kur është trajtuar tema e dialogut, ku sipas Tahirit, ka gjithmonë reaktivitet, e nuk ka proaktivitet.

“Andaj, ministri i Shëndetësisë urgjentisht të marrë të gjitha të dhënat për virusin Omicron, që fatmirësisht ka të mjaftueshme në të gjitha platformat ndërkombëtare, të krijojë një strategji proaktive në raport më këtë virus, i cili siç po shihet është shumë më depërtues e vdekjeprurës dhe që po prekë moshat e reja. Pasi që politika e Qeverisë ka qenë reaktive në gjithçka dhe e vonshme, i bëj lutje që ta trajtojnë këtë temë seriozisht dhe të kenë një pozitë proaktive në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë më mirë”, ka deklaruar shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Drejtori i Radios”Kosova e Lirë” patrioti e luftëtari…