Ministria e Shëndetësisë: Vaksinat nga Norvegjia kanë afat dhe janë të sigurta
Ministria e Shëndetësisë ka demantuar deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë dje se dikush nga qeveria duhet të përgjigjet për donacionin e vaksinave të ardhura nga Norvegjia. Ai ka kërkuar të di se sa prej këtyre vaksinave u ka skaduar afati i përdorimit më 30 qershor dhe sa prej tyre u skadon më 30 korrik.
Kjo ministri në reagimin e saj ka bërë me dije se të gjitha vaksinat kundër Covid-19 edhe ato që kanë ardhur nga Norvegjia kanë afat të mjaftueshëm për përdorim dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt.
Më tutje, MSh-ja u kanë bërë thirrje qytetarëve që edhe më tej të aplikojnë për vaksinim.
Reagimi i plotë i MSh-së:
Ministria e Shëndetësisë i siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se të gjitha vaksinat kundër Covid-19, të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, përfshirë edhe ato që janë marrë këtë javë donacion nga Mbretëria e Norvegjisë kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt.
Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër Covid-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit – shtetit të Norvegjisë.
Duke u bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë përmes platformës e-Kosova (https://ekosova.rks-gov.net/) për marrje të vaksinës kundër Covid-19, MSh-ja rikujton faktin se Kosova është nga shtetet e rralla në rajon që nuk ka pranuar të marrë vaksina të pa aprovuara nga EMA-ja dhe OBSh-ja për përdorim kundër Covid-19.