Ministria e Shëndetësisë: Vaksinimi me dozat e para do të bëhen vetëm me AstraZeneca
Vaksinat AstraZeneca janë të vetmet, që janë në dispozicion për qytetarët, që marrin dozën e parë të vaksinës anti-COVID.
Në stok ka edhe vaksina të kompanisë Pfizer, por që të njëjtat mund t’i marrin vetëm ata persona që edhe dozën e parë e kishin marrë të këtij lloji.
“Sapo u vaksinova me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca pasi kështu kish qenë radha. Edhe pse na është thënë që është Pfizer, doli të jetë AstraZeneca. Mirëpo kjo nuk paraqet ndonjë problem për ne. Me rëndësi të vaksinohemi dhe të imunizohemi”, deklaroi për RTV Dukagjinin qytetari Veton Hajdini.
Mirëpo qytetari Besim Mehmeti mori vaksinën e llojit Pfizer pasi që edhe dozën e parë e kishte marrë të këtij lloji.
Edhe qytetarja Fatime Hajdini mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca, por që e njëjta shprehet e kënaqur me procesin.
“Gjithçka ka shkruar mirë dhe shpejt. Jam e kënaqur me procesin e vaksinimit”, deklaroi Fatime Hajdini.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë për RTV Dukagjinin se qendrat e vaksinimit kanë doza të mjaftueshme të vaksinave anti-COVID.
“Aktualisht qendrat e vaksinimit kanë në përdorim për dozën e parë vaksinën Astra Zeneca, ndërsa Pfizer është duke u administruar tek dozat e dyta, për ata që edhe dozën e parë e kanë marrë të kësaj vaksine. Kosova ka doza të mjaftueshme të vaksinave kundër COVID-19 nga dy llojet në dispozicion dhe ato do të administrohen në mënyrë racionale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sot në Kuvendin e Kosovës, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se të gjitha dozat që Kosova ka në dispozicion janë të sigurta dhe të aprovuara nga institucionet shëndetësore botërore dhe evropiane.
Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë në marrjen e vaksinave.
Vitia po ashtu ka ftuar të gjithë faktorët politikë që të bashkohen në luftën kundër coronavirusit.