Ministria e Sportit do të investojë në ndërtimin e pishinave për notarët
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim drejtuesit e Federatës së Notit të Kosovës, të udhëhequr nga Kryetari i kësaj federate, Imer Rama.
Në takim u bisedua për infrastrukturën fizike për sportin e notit dhe plotësimin e saj nëpër qendrat e ndryshme të Kosovës. Konkretisht, u diskutua për fillimin e investimeve që pritet të realizohen në vitin e ardhshëm. Në këtë drejtim, ministri Gashi u zotua se do të fusë në plan ndërtimin e disa pishina gjysmë-olimpike për vitin 2019.
Kryetari Rama e informoi ministrin Gashi edhe për aktivitetet që organizon Federata e Notit si dhe sukseset që kanë arritur notarët. Ai mirëpriti zotimin e ministrit për investimet që ka në plan MKRS-ja të realizojë. Rama e konsideroi se përmes këtyre projekteve interesimi për sportin e notit do të rritet.
“Do të bëjë maksimumin që notarët e Kosovës të kenë hapësirat e nevojshme për të realizuar aktivitetet dhe garat e tyre. Me investimet që do të bëjë MKRS-ja në vitin e ardhshëm do të ndikohet edhe në edukimin e qytetarëve për notin dhe të reduktohen rastet kur si pasojë e mos përvetësimit dhe edukimit të duhur për notin humbasin edhe jetën e tyre”, ka thënë ministri Gashi.
/Epoka e re/