Ministria jep projekt për asfalt, kompania “KAG” shtron kubëza
Shtrohet asfalti, por në asnjë pjesë të rrugës nuk është njësoj. Ndonëse projekti mori fund dhe Ministria e proklamoi si “edhe një sukses tjetër”, qytetarëve të fshatit Budrikë e Epërme në Komunën e Vitisë nuk iu mbeti derë tjetër për të trokitur, përveç shpalosjes së shqetësimeve të tyre para kamerës së Kiksit.
Alban Hyseni, një vendas i asaj ane dhe njëherësh pronar i njërit nga bizneset përskaj rrugës, ka thënë se përfundimi i punimeve disavjeçare të rrugës Viti – Kllokot – Gjilan, në vend se t’i gëzonte, veç sa ua shtoi gajlet, raporton Kiks Kosova.
Edhe pse projekti ishte për shtrimin e asfaltit, sipas Hysenit, në disa pjesë të rrugës, punëkryesi shtroi kubëza, vetëm e vetëm që të mbushte disa zbrazëtira.
Sipas Hysenit, asfalti i ri është diku rreth 52 cm më poshtë sesa ai që ishte paraprakisht.
Madje, siç thotë ai, tentimet për të folur me punëkryesin, kompaninë “KAG”, e cila projektin e mori nga Ministria e Infrastrukturës, nuk pinë ujë.
Alban Hyseni, i cili kishte përfunduar studimet për Inxhinieri të Ndërtimtarisë Rrugore, zotohet se e di më mirë se kushdo që puna nuk u krye siç duhet dhe sipas rregullave të parapara.
Dyshimet e tij drejtohen edhe kah Ministria e Infrastrukturës, e cila do të duhej të bënte menaxhimin dhe kontrollin final të projektit.
Madje ai thotë të ketë provuar të flasë edhe me inxhinierët përgjegjës për këtë projekt, mirëpo, sipas Hysenit, nuk ia morën parasysh as edhe një fjalë.
Rruga është e mbushur me biznese e vendbanime. Mirëpo, me shtrimin e asfaltit të ri, problem është bërë kyçja në rrugën kryesore.
Sipas qytetarëve, problemi me kyçje dhe pasojat që la prapa ky projekt, ka bërë që një numër i konsiderueshëm i bizneseve të asaj ane të mbyllen.
Hyseni, bashkë me 18 banorë të tjerë të kësaj pjese, ka mbledhur nënshkrime për një peticion drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës.
Në këtë ankesë, të cilën e dorëzuan më 20 shkurt të 2024-tës, banorët shfaqën pakënaqësitë e tyre për të metat e asfaltit.
Hapi tjetër i tyre thonë se do të jenë protestat.
Sipas Hysenit, Ministria iu kishte premtuar se fillimisht do të dilte në terren edhe një herë lidhur me nivelizimin e asfaltit sipas kërkesave të banorëve, mirëpo më pas, thotë ai, e njëjta u tërhoq, duke lënë gjithçka si ishte.