Ministria përcakton kushte për operatorët ekonomik që japin vetura me qera
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar të hënën udhëzimin administrativ për shoqëritë tregtare me të cilin përcaktohen kushtet dhe kriteret e ofrimit të shërbimeve të veturave me qira (rent-a-car).
Sipas njoftimit të MINT-it, “ofruesit të shërbimeve të automjeteve me qira, obligohen që të regjistrohen në regjistrin e turizmit sipas kërkesave të Udhëzimit Administrativ për Regjistrin e turizmit brenda 30 ditëve nga dita e fillimit të ushtrimit të veprimtarisë.”
Gjithashtu, udhëzim parasheh që kompanitë që japin vetura me qira të lidhin kontrata me secilin klient.
“Poashtu, me Udhëzimin e ri Administrativ parashihet që ofruesit e shërbimit të veturave me qira duhet të lidhin kontratë në secilin rast të ofrimit të automjeteve me qira dhe gjatë gjithë kohës duhet të kenë të regjistruara dhe të siguruara të gjitha automjetet sipas legjislacionit përkatës për sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia.” – thuhet në njoftim.