Ministrit Reka ambasadorja Barisiç i konfirmon mbështetjen e Kroacisë për vizat
Kroacia thotë se do ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën lidhur me çështjen e vizave. Është bërë e ditur se Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor do të mbahet në qershor. Për këtë kanë njoftuar pas takimit që sot ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, e pati me ambasadoren e Kroacisë, Danijela Barisiç. Në njoftimin e dërguar nga MIE, bëhet me dije se temë qendrore e diskutimit ka qenë liberalizimi i vizave për kosovarët.
Reka e ka njoftuar ambasadoren e Kroacisë se edhe në rrethana pandemie, qeveria në detyrë dhe Ministria për Integrim Evropian vazhdojnë përkushtimin e tyre në jetësimin e reformave të agjendës evropiane. “Si dëshmi, ai njoftoi se në mbledhjen e fundit të Qeverisë, pesë çështje të miratuara nga Qeveria, ishin pikërisht ato që lidhen me Bashkimin Evropian, siç janë: nisma për marrëveshjen IPA 2019 (pjesa e dytë), pastaj për IPA 2020, si dhe marrëveshjet trepalëshe financiare IPA II në mes të: Kosovës, BE dhe Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Po ashtu, edhe në këtë periudhë, ndonëse në rrethana të kufizimeve me pandeminë, Ministria vazhdoi të jap kontributin e kërkuar nga Brukseli në lidhje me raportin vjetor për vendin, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Agjendës për Reforma Evropiane.
Duke i’u falënderuar BE-së për ndihmën e parë emergjente prej 5 milionë EURO për përballjen me pandeminë dhe ato të premtuarat prej 160 milionë EURO, Ministri Reka, kërkoi që Presidenca Kroate e BE të përkrahë dhe shtyjë përpara çështjen tashmë të tej zgjatur – atë të liberalizimit të vizave”, shkruhet në njoftim.
Në anën tjetër, ambasadorja Barisiç ka bërë të ditur se Kroacia do të vazhdojë përkrahjen ndaj Kosovës dhe mbështetjen për heqjen e vizave. “Ajo informoi Ministrin Reka për datën e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor që o të mbahet në Zagreb, se edhe pse ishte paracaktuar të mbahej në javën e parë të majit, data e samitit shtyhet për qershorin e vitit 2020 për shkak të shpërthimit të COVID-19. Lidhur me këtë, Ambasadorja Barisiç theksoi se në bashkëpunim me Presidentin Evropian Charles Michel, ne po përpiqemi të gjejmë datën e re në qershor, për të organizuar Samitin BE-Ballkan Perëndimor, në Zagreb”, tha ajo. /Epoka e re/