
Ministrit Sveçla i refuzohet kërkesa për vizitë në Luginë
Ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, i është refuzuar kërkesa nga institucionet e Serbisë për vizitë në Luginë.
Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
“Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, më datën 23 dhe 24 dhjetor 2024 ka paralajmëruar vizitë zyrtare njëditore në Luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc. Në kuadër të kësaj vizite, ministri z. Sveçla kishte paraparë takime me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës (KKSh), duke filluar me përfaqësuesit e Zyrës së KKSH-së në Medvegjë, për të vazhduar në Bujanoc, në selinë e KKSh-së, si dhe më pas në Preshevë, në selinë e degës së KKSH-së për këtë komunë. Përkundër faktit që janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi sipas Marrëveshjes së Brukselit për vizita zyrtare, Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite. Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit”.
“Qeveria e Serbisë gjatë këtyre dy viteve të fundit ka refuzuar rregullisht vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Republikës së Kosovës, posaçërisht kur bëhet fjalë për vizitat në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Përveç vizitave të ministrit Sveçla, janë refuzuar rregullisht edhe vizitat e ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës, e fundit nga të cilat ka qenë vizita e Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Hajrulla Çeku, e paralajmëruar ditë më parë, më 19 dhjetor 2024. Për më tepër, edhe vizita e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, e paralajmëruar në fillim të këtij viti, respektivisht, më 27 shkurt 2024, për të marrë pjesë në Pritjen për Përvjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, ishte refuzuar pa asnjë arsyetim të vlefshëm dhe disa orë para se znj. Gërvalla të arrinte në pikën kufitare”, ka njoftuar MPJD-ja.
Sipas MPJD-së, veprimet e qeverisë serbe kanë për qellim mbajtjen e tensioneve me Kosovën.
“Veprime të tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Republikën e Kosovës në shkallë të lartë. Janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Serbia i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë”, ka njoftuar MPJD-ja.