Ministritë i ka zgjedhur, Nisma sot i zgjedhë ministrat

01 maj 2020 | 09:52

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për ministrat e mundshëm të partisë së vet në qeverinë e re, e cila pritet të votohet në ditët e ardhshme. Limaj ka thënë se Nisma do të nxjerrë kuadro të cilat kanë aftësi menaxheriale të dëshmuara. Ai ka bërë me dije se sot do të ulen si parti dhe do t’i formalizojnë emrat për ministra në qeverinë që pritet ta udhëheqë Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sonte s’mund të flas për emra. Deputetët tanë besoj do të vazhdojnë në Kuvend dhe do të kemi ministra nga kuadrot tona. Si parti nesër do të mblidhemi dhe do të vendosim”, ka thënë Limaj në “Klan Kosova”. Më tutje, ai ka thënë se i kanë zgjedhur Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale pasi, sipas tij, u shkojnë përshtati programit të partisë së tij.

Lideri i Nismës ka shpalosur edhe disa objektiva të Nismës në qeverisjen e ardhshme. Limaj ka bërë apel që në Kosovë të kthehet beteja klasike politike dhe të dilet nga kjo gjendje që është krijuar në vend. “Unë besoj që këto zhvillime që kanë ndodhur do të duhej të shërbenin si përvojë dhe Lëvizja Vetëvendosje e ka një mundësi të mirë të nxjerrë përvoja të mira me këto që është sfiduar. Kjo është thirrja ime, të vazhdojnë ta respektojnë shtetin, t’i respektojnë normat dhe të kenë kujdes në partneritete. Apeli im është të kthehet beteja politike klasike”, ka shtuar Limaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati Dastid Pallaska ka thënë në emision Pressing në T7…