Ministrja Bajrami dhe ambasadorja kroate flasin për bashkëpunimin ndërshtetëror
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka pritur sot ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e arsimit.
Ambasadorja kroate i ka uruar detyrën ministres Bajrami, ndërsa ka theksuar se Kroacia mbetet e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve në arsim.
Bajrami e ka falënderuar ambasadoren kroate për mbështetje, ndërsa ka theksuar rëndësinë që ka për Kosovën bashkëpunimi me Kroacinë në të gjithë sektorët, e veçanërisht në atë të arsimit.
Ajo e ka informuar ambasadoren Barishiq për gjendjen në arsim në vendin tonë dhe programin qeverisës që synon përmirësimin e gjendjes.
Në takim, ndër të tjera është biseduar edhe rreth mësimit të gjuhës kroate në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht të gjuhës shqipe në Universitetin e Zagrebit.