Ministrja Bajrami: Paret nga Trusti, infuzion për ekonominë, jo ndihmë sociale për qytetarët
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se mundësia e tërheqjes prej 10 për qind të fondit pensional, nuk është konsideruar si ndihmë sociale për qytetarët e Kosovës, por si “infuzion për ekonominë”.
Bajrami ka thënë se me këtë pikë, të përfshirë në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, Qeveria Hoti ka synuar të ketë rritje të kërkesës agregate.
Si qeveri s’e kemi shitur si masë për ndihmë qytetarëve. Rritet kërkesa agregate. Ndoshta qytetari që i ka nëntë euro, ai nuk shkon. Kjo është në mënyrë dëshirore. Ai ka nevojë më shumë, por kjo masë u bë ekskluzivisht të rritet kërkesa agregate. Keni pa që s’ka kërkesë agregate. Është bërë për ta ndihmuar ekonominë, jo në aspektin social njerëzit. Kemi masa të tjera për ta. Kemi vendos sot që familjet që janë në asistencë sociale deri në fund të vitit t’u ndahen 7.5 milionë euro. Edhe ato janë nga fondi për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ajo në KTV, duke shtuar se kanë presion të madh qytetar për masën e tërheqjes së 10 për qind të fondeve në Trust.
“S’ka qytetar që i tërheq mjetet për t’i ruajtur. Ata që i tërheqin menjëherë do t’i fusin në ekonomi. Kemi nevojë për infuzion në ekonomi. Nuk u ndihmojmë qytetarëve duke u dhënë paratë e veta. Të gjithë qytetarët që kanë llogari po ua mundësojmë, s’po i detyrojmë. Ka të tillë që s’janë të interesuar të tërheqin 10 për qind”, ka deklaruar më tej ajo.
Ajo ka thënë se projektligji për rimëkëmbje ekonomike duhet të kalojë në lexim të parë që të ketë përafrim të qëndrimeve me opozitën. Megjithatë, ajo ka thënë se propozimi për kompensim nga shteti të tërheqjes së 10 për qind për ata që kanë më pak se dhjetë mijë euro nga Trusti, do të bëhej shkelje kushtetuese sepse krijohet pabarazi sociale.