Ministrja Bajrami: Transferi i 2 milionë eurove ishte sulm kibernetik
Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami gjatë një raportimi të enjten para Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike tha se transferi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik.
“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer pasvordet”, ka thënë ministrja Bajrami.
Sipas saj transaksioni prej mbi 2 milionë eurove, është transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka.
Për këtë transaksion ka shtuar Bajrami, nuk është kërkuar as nënshkrimi i saj dhe as nënshkrimi i drejtorit të Thesarit të Kosovës
“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, ka deklaruar ajo.