Ministrja Dumoshi: MKRS-ja e fokusuar në përkrahjen e ndërmarrësve të rinj
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar të martën Qendrën Inovative të Kosovës (Innovation Centre of Kosovo – ICK), për t’u informuar për aktivitetet dhe objektivat që ka kjo organizatë.
Ajo u prit nga drejtuesit e kësaj organizate me në krye drejtorin ekzekutiv të ICK-së, Uranik Begu.
Ndër objektivat kryesore të organizatës në fjalë janë ndërmarrësia për të rinj, përkrahja për nisjen e bizneseve (start-up) për të rinj për krijimin e vendeve të reja të punës përmes inovacionit duke ofruar mbështetje në edukim në fushat e teknologjisë dhe ndërmarrësisë.
Me këtë rast, ministrja Dumoshi ka thënë se ndjehet e kënaqur për arritjet e organizatës e cila u ka mundësuar shumë të rinjve të trajnohen dhe më pas ose të hapin vetë biznese ose të përfundojnë si të punësuar.
Dumoshi ka folur për rëndësinë dhe rolin e MKRS-së në fushën e ndërmarrësisë dhe ka theksuar se partneriteti me palët që janë të përfshira në këtë fushë është e rëndësishme. “Jam e interesuar që të rris partneritetin publiko-privat në mënyrë që të rinjve t’u ofrohen mundësi më të mëdha punësimi, që si qeveri, e sidomos ne si ministri që mbulojmë dikasterin e rinisë, të ndërmarrim veprime konkrete për krijimin e vendeve të reja të punës”, ka pohuar ministrja Dumoshi, duke theksuar se vendi ynë ka shumë të rinj të talentuar.
“Si ministri po ndryshojmë dhe plotësojmë dokumentet ligjore dhe strategjike të cilat do të mundësojnë rritjen e punësimit të të rinjve. Aftësimi profesional i të rinjve duke përfunduar në tregun e punës është një prej objektivave me prioritet që kam si ministre dhe këta të rinj përpos që do të punojnë për tregun e brendshëm të Kosovës i cili nuk është edhe aq i madh, ata do të punojnë edhe për tregun e jashtëm, të cilët do të ndikonin në rritjen eksportit në njërën anë dhe të ardhurave për vendin tonë”, ka vlerësuar ministrja Dumoshi.
Nga ana e tij, drejtori Begu e informoi ministren Dumoshi me punën që bën ICK-ja në trajnimin e shumë të rinjve, në përkrahjen e start-upeve për bizneset e reja dhe përkrahjen e shumë projekteve inovative të cilat kanë depërtuar edhe në tregun global.
Ministrja Dumoshi u shpreh se është e rëndësisë strategjike që rrëfime suksesi sikurse ICK-ja të përkrahen nga institucionet vendore për të marrë shërbimet e mira që ofron kjo organizatë ashtu që mbështetja financiare të përqendrohet përbrenda vendit dhe jo të dalë jashtë shtetit.
(Qendresa Rama / Epoka e re)