Ministrja Dumoshi mori pjesë në video-konferencën e dytë nga KOK-u
Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur video-konferencën e dytë me federatat sportive, derisa këtë herë pjesëmarrës ishin edhe ministrja për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), Vlora Dumoshi dhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj.
KOK-un e përfaqësuan presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj. Të pranishme në video-konferencën e organizuar përmes platformës ‘zoom’, ishin drejtuesit e 24 federatave.
Ministrja Dumoshi duke falënderuar KOK-un dhe federatat sportive për bashkëpunimin, foli për takimin e mbrëmshëm me ministrin e Shëndetësisë (MSH), Arben Vitia. Ministrja ka thënë se qëllimi i takimit ishte që ta njoftojnë për së afërmi ministrin Vitia me gjendjen në të cilën ndodhen federatat sportive, duke kërkuar një përgjigje sa më të shpejtë nga MSH dhe IKSHPK për rifillimin e aktiviteteve, derisa beson se para deri më 18 maj do të marrin një përgjigje.
Bazuar në Rendin e Ditës gjatë diskutimeve, secila federatë varësisht nga specifikat e tyre treguan për kohën optimale të tyre për të nisur përgatitjet dhe garat, derisa një gjë të tillë do ta kërkojnë edhe nga klubet. Të gjitha udhëzimet u kërkua t’i dërgohen MKRS-s, e cila do t’ia përcjellë MSH-së dhe IKSHPK-së, në mënyrë që rifillimi i aktiviteteve sportive të bëhet sa më parë. Shumica e federatave shprehën gatishmërinë që të fillojnë sa më parë me aktivitete.
U dakordua që bazuar në masat e dala nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, të gjitha klubet të dezinfektojnë hapësirat e tyre, ku stërvitin dhe ku i zhvillojnë garat.
Disa federata treguan se kanë marrë udhëzimet edhe nga federatat përkatëse ndërkombëtare, se çfarë masa duhet marrin për të rifilluar përgatitjet dhe garat.
Në pikën e fundit të Rendit të Ditës “Të Ndryshme”, u diskutua për 5 milionëshin e premtuar nga pakoja fiskale e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila sipas propozimit do t’i ndahet sportit, kulturës dhe rinisë.
“MKRS sipas memorandumeve me organizatave sportive, të cilat janë të licencuara në MKRS-së ka kryer obligimet 2019 dhe MKRS ka filluar nënshkrimin e Memorandumeve në pajtueshmëri me Buxhetin e rregullt sipas kategorizimit të sporteve, sportisteve dhe trajnerëve të bëjë ndarjen sipas procedurave te poentimt pagesat TM1, pra ku si institucion kemi ndërmarrë veprime duke realizuar obligimet e vitit 2019 ndaj organizatave sportive, ashtu siç kemi përgatitur memorandumet që në këtë fazë të mbështesim federatat për administrimin dhe funksionimin e tyre. Po ashtu në momentin e alokimit te buxhetit në MKRS-së sipas procedurave të Ligjit të Buxhetit 2020, sipas Vendimit të Qeverisë për pakon fiskale, e cila ndryshon strukturën buxhetore të MKRS, duhet të aprovojë Kuvendi i Republikës së Kosovës për mbështetje lidhur me pandeminë Covid-19”, ka thënë Alaj.
Disa nga federatat treguan për presionet që po iu bëhen nga klubet për pakon fiskale, për çka kërkuan sqarime. KOK-u, MKRS-ja dhe federatat u pajtuan që video-konferenca e radhës të mbahet pas dy javësh.