Ministrja Dumoshi: Në stadiumin ‘Ramiz Sadiku’ do të investohen rreth 200 mijë euro
Në kuadër të investimeve në infrastrukturën sportive, të hënën kanë filluar punimet edhe në stadiumin e “Ramiz Sadiku”-t në Prishtinë, në të cilin do të bëhet vendosja e drenazhit dhe e barit sintetik. Në fillimin e këtyre punimeve morën pjesë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.
Me këtë rast, Dumoshi ka thënë se investimi dhe fillimi i punimeve në këtë stadium ka qenë shumë i nevojshëm dhe se në këtë projekt do të investohen rreth 200 mijë euro.
“Erdhëm tani te klubi ‘Ramiz Sadiku’ i cili është një shkollë shumë e veçantë. Po i shohim të gjithë këta fëmijë. Rreth 200 anëtarë i ka prej grupmoshave të ndryshme. Ky është një lajm i mirë për Kosovën sepse kushtet për këto gjenerata të reja Qeveria e Kosovës është duke i financuar. Ne po fillojmë punimet për drenazhimin i cili ka qenë i nevojshëm që shumë kohë. Do të përpiqemi që këtyre gjeneratave të reja, këtyre talentëve, t’u japim mundësi që së paku infrastrukturën ta kenë, se këta janë ardhmëria jonë. Investimi është diku 200 mijë euro”, ka thënë Dumoshi.
Ndërsa kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, theksoi se ky projekt është në vazhdën e investimeve të shumta që po bëhen në infrastrukturën sportive në nivel vendi dhe se kjo do të ndikojë në integrimin e sportit si dhe krijimin e kushteve për rritjen e talentëve të rinj.
“Më vjen mirë që gradualisht po krijohen të gjitha kushtet e nevojshme që talentët t’i kryejnë trajnimet e nevojshme dhe të integrohet sporti prej shkollës e deri në karrierën e mëvonshme. Përgëzoj klubin këtu, federatën për këtë mbështetje dhe bashkëpunimin e nevojshëm që të krijojmë këto kushte këtu dhe në të gjitha stadiumet e tjera. Ne sapo ishim në një stadium tjetër në anën tjetër të Prishtinës, edhe atje po kompletohen dhe besoj se e gjithë infrastruktura e nevojshme brenda vitit të përfundojë në mënyrë që të kenë mundësi të gjitha moshat t’i kryejnë trajnimet e tyre edhe lojërat dhe garat që i kryejnë në kuadër të sportit”, ka deklaruar Hoti.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministrja në detyrë e sportit, Vlora Dumoshi, të hënën morën pjesë edhe në fillimin e punimeve në stadiumin e Klubit të Futbollit “2 Korriku”.