Ministrja Dumoshi viziton Dresnikun, vendin e rëndësishëm arkeologjik (Foto)
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Vlora Dumoshi, të enjten ka vizituar Komunën e Klinës.
Ajo është pritur nga kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, me të cilin kanë vizituar Dresnikun.
“Morëm shkas nga ditët evropiane të trashëgimisë që ta vizitojë Klinën, ku u mirëprita nga kryetari i Komunës Zenun Elezaj. Ishim në Dresnik aty ku ndodhet një nga gjetjet më të bukura e më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë, mozaiku shumëngjyrësh i Dresnikut. MKRS, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Komuna e Klinës në partneritet me organizatën European Heritage Volunteers po zhvillojnë aktivitetin e gjurmimit të mëtejmë të Mozaikut të Dresnikut”, ka thënë Dumoshi.
Ajo ka thënë se MKRS-ja ka mbështetur financiarisht akomodimin e studentëve ndërkombëtarë të cilët do të gërmojnë, pastrojnë e konservojnë mozaikun nën mbikëqyrjen e arkeologut Elvis Shala.
“Studentët ndërkombëtarë vijnë nga ShBA-të por edhe nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën si Spanja, India e Sllovakia. Kjo është një dëshmi që trashëgimia jonë kulturore është aq e pasur sa ka nxitur interesimin e të huajve dhe ekspertëve të trashëgimisë. E njoftova kryetarin që do të mundohemi që si ministri të mbështesim Klinën edhe në projekte që lidhen me fusha të tjera. Përmes afirmimit të trashëgimisë tonë të pasur kulturore kontribuojmë që diplomacia kulturore të shërbejë për njohjen e shtetit të Kosovës nga ato vende që akoma nuk na kanë njohur si shtet”, ka thënë Dumoshi.
(Q.R / Epoka e re)