Ministrja e Drejtësisë ‘ia bën vetingun’ Blerim Isufajt, e quan të paaftë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka sulmuar ashpër prokurorin Blerim Isufaj që po synon të bëhet kryeprokuror.
Haxhiu ka adresuar në Kuvendin e Kosovës disa nga kritikat e deputetëve opozitarë në lidhje me arrestimin e shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, javën e kaluar.
“Më lejoni të ju njoftojë që vetëm Ministria e Ekonomisë ka adresuar më shumë ndoshta se njëzetë lëndë, qoftë në polici e qoftë në prokurori! Për asnjërën prej tyre, asnjëherë, nuk është ftuar askush që i ka deponuar këto raste”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka përmendur edhe rastin e një prone publike duke e akuzuar direkt një ish-ministër.
“Kam gjetur në Ministrinë e Drejtësisë, ta zëmë, që prona publike nga ish-ministri e ish-drejtori i burgjeve i është dhënë privatit”, ka thënë ajo.
Sipas ministres, prokuroria kishte thënë se për këtë rast dëmi nuk ishte bërë dhe prandaj çështja nuk ishte trajtuar.
“Ju e dini shumë mirë se për çka përkushtohet qeveria Kurti. Neve na duhet një kryeprokuror që nuk e ka bishtin e zënë me derë…”, është shprehur Haxhiu.
Në mënyrë indirekte, Haxhiu e ka vlerësuar si të pa integritet Blerim Isufajn.
“Nuk mundemi edhe me shtatë vite me e çuar me një prokuror që është i paaftë, që nuk ka integritet moral…”, ka thënë Haxhiu, duke akuzuar partitë opozitare që kishin qenë të përfshirë në korrupsion e krim.