Ministrja e Drejtësisë ‘zbulon’ kërkesën e Listës Serbe për t’i hapur rrugë vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke folur në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të dielen, ka thënë Lista Serbe ka kërkuar që në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese për t’i hapur rrugë vettingut në sistemin e drejtësisë, duhet që së pari të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve e gjyqtarëve dhe synon rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar dhe politikës apo elementëve të tjerë. E për ndryshimet kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave të 20 deputetëve të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
“Lista Serbe nuk është në qeverisje sikurse ka qenë në të kaluarën… ne nuk bëjmë pazare me Listën Serbe. Ata kanë dërguar fjalë përmes partnerëve që ‘nëse këta e bëjnë Zajednicën, ne e konsideojmë pjesëmarrjen. Por ju e dini se Qeveria Kurti nuk e bën Zajednicën dhe nuk futet në pazare me Listën Serbe”, ka garantuar ministrja kosovare.
Ministrja Haxhiu ka akuzuar sistemin e drejtësisë për “raporte shumë të mira” me qeveritë e kaluara në Kosovë. “Nuk e di nëse ka pasur ndonjë komunikatë të sistemit të drejtësisë kundër qeverive të kaluara. Ata i kanë pasur punët shumë mirë: ‘Ti mos më nguc mua, unë nuk të nguci ty’. Por ne ju kemi thënë se nuk funksionojmë kështu”.