Ministrja e jashtme bullgare: Kosova do të jetë e pranishme në Samitin e Sofjes
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë takimit në Sofje me homologen e tij bullgare, Ekaterina Zaharieva, ka vlerësuar se Kosova dhe Bullgaria kanë nivel shumë të lartë të bashkëpunimit dypalësh, i cili duhet të intensifikohet veçanërisht në planin ekonomik.
Dy homologët trajtuan vazhdimin e ndihmës së Bullgarisë në shtetndërtimin e Kosovës, rritjen e pranisë së kompanive nga ky vend, ashtu dhe ndërmjetësimin bullgar për zhbllokimin e Marrëveshjes së Interkonieksionit midis Kosovës dhe Serbisë.
Pacolli ka falënderuar gjithë institucionet bullgare për ndihmën e deritanishme, duke kërkuar mbështetjen e këtij vendi dhe në kuadër të Samitit të Sofjes.
Ministrja Zaharieva ka pohuar se do të angazhohej që në samitin e Sofjes të merrnin pjesë gjithë të ftuarit e nivelit të lartë nga BE dhe Ballkani Perëndimor.
Sa i takon pjesëmarrjes së Kosovës në këtë samit, ajo tha se “ne do të gjejmë një mënyrë që të ruajë koherencën, elementët protokollarë të një forumi të Bashkimit Evropian, dhe duke respektuar dinjitetin e Kosovës”.
/Epoka e re/