Ministrja e Katarit e fton Muratin për një memorandum të bashkëpunimit në projekte
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati është takuar me ministren për Zhvillim Social dhe Familje të Katarit, Maryam bint Ali bin Nasser Al Misnad.
Në njoftim e MFPT-së është thënë se gjatë këtij takimi, Murati ka prezantuar masat e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e grave, të rinjve dhe grupeve të cenueshme të shoqërisë.
“Ministri përmendi shtesat për fëmijë dhe lehona, subvencionimin e pagës për të rinjtë përmes platformës ‘Superpuna’, heqjen e tarifave universitare, dhe ofrimin e bursave për gratë në teknologji dhe inovacion, si vetëm disa nga masat që portretizojnë punën e qeverisë në këtë drejtim. Ministri falënderoi Ministren Nasser Al Misnad për vizitën në Kosovë duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira ndërmjet dy vendeve”, ka njoftuar MFPT-ja.
Sipas këtij njoftimi, ministrja Al Misnad, ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për politikat dhe masat e zbatuara, duke vlerësuar sistemin e digjitalizuar të ofrimit të shërbimeve sociale në Kosovë.
Ministrja e Katarit ka ftuar ministrin Murati të nënshkruajë një memorandum bashkëpunimi për projekte të përbashkëta të cilat pritet të zbatohen në të ardhmen.
Për të konkretizuar këtë, pas takimit, të dyja palët janë pajtuar të formohet një ekip teknik për të diskutuar projekte me potencial për bashkëpunim ndërmjet dy shteteve.