Ministrja Etilda Gjonaj mbron në Komisionin e Ligjeve ndryshimet në reformën në drejtësi

23 mars 2021 | 22:23

Fjala e ministres së Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj në Komisionin e Ligjeve për ndryshimet në reformën në drejtësi (18.03.2021)

I nderuar kryetar

Të nderuar anëtarë të Komisionit

Tashmë e dimë që hartimi fillimisht i ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2016 dhe më pas i ligjeve organike për funksionimin e sistemit të ri të drejtësisë ishte një sipërmarrje e jashtëzakonshme e kuvendit dhe grupit të ekspertëve që punuan duke i dhënë një arkitekturë plotësisht të re sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri.

Tashmë janë tejkaluar sfidat e mëdha që hasëm në fillimin e zbatimit të reformës duke përfshirë këtu ngritjen e institucioneve të reja dhe aktualisht po konsolidohen praktikat e mira në zbatimin e këtyre ligjeve dhe në garantimin e një sistemi drejtësie duke mëshiruar të gjitha parimet kryesore që ka patur reforma në drejtësi si pjesë e ndryshimeve kushtetuese apo edhe e gjithë paketës. Nga ngritja e institucioneve të reja ka kaluar një kohë e mjaftueshme dhe ne tashmë kemi realizuar një analizë ex-post, pasi është kryer faza e parë, të ligjeve të reformës, të zbatimit të tyre, por njëkohësisht edhe të problemeve që po hasin institucionet me qëllim përshpejtimin e disa proceseve thelbësore siç është ai i plotësimit të vakancave të Gj.L.

Në një kohë që institucionet e reja janë ngritur, në një kohë që institucionet e reja janë funksionale, por një sërë vonesash që janë sjellë në zbatimin e reformës në drejtësi, janë dashur të adresohen nëpërmjet disa ndryshimeve të kësaj pakete. Nismat në Kuvend si propozime Deputetësh, janë si rrjedhojë e një pune të kryer fillimisht nga vetë institucionet e sistemit të drejtësisë, tashmë disa mujore, pothuajse që në shtator të vitit të kaluar ka filluar ky proces në mënyrë të konsoliduar me përfshirjen e të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe më pas bashkërisht me të gjitha institucionet e tjera, për gjetjen e zgjidhjeve të disa problemeve që do të gjenin zbatimin e kësaj reforme.

Në Ministrinë e Drejtësisë ka punuar një grup pune i mbështetur nga misionet ndërkombëtare, i cili ka analizuar problematikat e sistemit deri tani, si dhe ka hartuar një plan veprimi me masat që duhen marrë për zbatimin e plotë të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë këtu masat me karakter organizativ, ato me karakter financiar, dhe njëkohësisht burimet njerëzore, si dhe ndryshimet ligjore të nevojshme për ti dhënë efektshmërinë e nevojshme në këtë moment zbatimit të reformës në drejtësi.

Në kuadër të masave me karakter administrativ, në muajin shtator Ministria e Drejtësisë mblodhi të gjithë përfaqësuesit nga institucionet e larta të drejtësisë, padyshim me partnerët, me mbështetjen dhe me përfshirjen në çdo hap të partnerëve ndërkombëtarë, të misioneve të cilët tashmë kanë dhënë një kotribut të jashtëzakonshëm për reformën në drejtësi, duke diskutuar të gjithë këto problematika dhe nevoja për rishikimin të disa prej ligjeve të reformës.

Të gjitha institucionet e drejtësisë sollën një listë të gjatë të nevojave dhe propozimeve konkrete për ndërhyrje. Dhe pas analizimit nga i gjithë grupi i punë, bashkërisht me përfaqësuesit e institucioneve, kemi punuar në hartimin e propozimeve të kësaj pakete propozimesh të ligjeve, duke prekur 10 ligje dhe duke përfshirë, 3 ligje procedurale, Kodi i Procedurës Penale, Kodi i Procedurës Civile dhe ligji për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative si dhe 7 ligjet e reformës në drejtësi.

Grupi i punës ka patur kujdes të veçantë që shtyllat e refomës në drejtësi si dhe parimet bazë në të cilat u ngrit kjo reformë jo vetëm që të mos cënohen nëpërmjet kësaj pakete, por edhe të garantohet edhe zbatimi më i shpejtë i saj. Në këtë mënyrë janë garantuar ndryshime që garantojnë rritjen e efiçencës të GJ.L, mirëfunksionimin e Gjykatave të Apelit, përshpejtimin e disa çështjeve në Gjykatën e Shkallës së Parë, garantimin e mirëfunksionimit të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe rolit të tyre në administrimin e sistemit. Shtimin e garancive që lidhen ngushtësisht me statusin e magjistratit, si dhe ajo që është më e rëndësishme, garantimi i funksionimit të plotë të SPAK-ut, qoftë si pjesë e ndryshimeve të kompetencës lëndore të saj që garanton fokusimin në çështjet me rëndësi, ashtu edhe në rregullimin e trajtimit financiar të pagave dhe përfitimeve të tjera të punonjësve të BKH-së. Dhe nëpërmjet ktyre ndryshimeve, që duhet thënë janë nga ndryshimet më thelbësore që kryhen nga miratimi i reformës në drejtësi në vitin 2016, përshpejtohet konsolidimi i një sistemi drejtësie i pavarur, profesional dhe i aftë që të garantoje drejtësinë për qytetarët shqiptarë, por njëkohësisht të arrihet sa më shpejt impakti që qytetarët shqiptarë po presin për zbatimin e reformës në drejtësi.

Shkurtimisht, nëpërmjet ndryshimeve të ligjeve të reformës synohet përmbushja e disa objektivave të cilat kanë të bëjnë fillimisht me rritjen e efiçencës të GJ.L.

Gjykimi në GJ.L ndryshon nga seancë publike të detyrueshme në çdo rast, në gjykim në dhomë këshillimi. Ulet numri i çështjeve që mund të shkojnë drejtpërdrejtë në GJ.L, çështjet e juridiksionit dhe moskompetencës, duke ulur kështu ngarkesën e panevojshme.

Gjithashtu përmirësohen rregullat procedurale në paraqitjen e rekurseve për gjykimin dhe disponimin nga GJ.L duke përmirësuar jo vetëm rregullat procedurale, por edhe njehsimin e rregullave mbi gjykimet e posaçme për njehsimin apo ndryshimin e praktikës gjyqësore.

Në këtë mënyrë do të arrijmë që GJ.L edhe plotësimin e anëtarëve të tjerë nga KLGJ, por edhe me këto ndryshime që kryhen përsa i përket rritjes së efiçencës së GJ.L do të mundësojnë që të ulë stokun (back-log) e 38.000 çështjeve që presin sot në GJ.L.

Nga ana tjetër mund të them që garantohet funksionimi i Gjykatave të Apelit me ndryshimet që janë propozuar, pavarësisht efekteve të vlerësimit procesit kalimtar, duke rregulluar kështu përbërjen e trupave gjykues në Gjykatën e Apelit, duke zgjeruar çështjet që mund të gjykohen në dhoma këshillimi në GJ.A, por edhe duke rregulluar edhe procedura për shpalljen dhe njoftimin e përbërjes së trupit gjykues.

Nga ana tjetër përshpejtohet gjykimi i disa çështjeve në gjykatën e shkallës së parë, duke rritur shumën e padive që shqyrtohen me gjykimin e shkurtuar si ato që rrjedhin nga marrëdhënie kontraktore, apo edhe duke rritur numrin e çështjeve që mund të gjykohen nga gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, ankimet kundër veprimeve përmbarimore, dhe njëkohësisht funksionimin e ndihmësave ligjorë që do të funksionojnë dhe pranë Gjykatave të shkallës së parë që është si risi e këtyre ndryshimeve me qëllim që të lehtësojnë punën e gjyqtarëve në vendimmarrje, duke shkurtuar kohën e shqyrtimit të çështjeve. Dhe kjo do të sjellë një të mirë të jashtëzakonshme për qytetarët që të marrin vendime në kohë të shpejtë dhe të mos pritet kaq gjatë sa sot merret kohë për të marrë një vendim nga gjykatat e shkallës së parë, e njëjta situatë dhe në gjykatën e apelit, apo në të njëjtën gjë dhe në GJ.L.

Nga ana tjetër garantohet mirëfunksionimi i organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe roli i tyre në menaxhimin e sistemit duke rregulluar procedurën e hetimit administrativ që kryejnë këshillat për emërimin e kandidatëve në sistemin gjyqësor. Rregullohen procedurat e ngritjes në detyrë dhe lëvizjes paralele duke marrë në konsideratë disa problematika që kanë rezultuar sidomos në lëvizjet apo edhe në emërimet dhe komandimet që kryhen sidomos në Gjykatat e Posaçme. Shtohet mundësia e delegimit për një çështje të një magjistrati në skenën e delegimit, si dhe masa me karakter të përkohshëm ku i njihet e drejta këshillave që cakton magjistrat për një çështje të veçantë.

Dhe çfarë është e rëndësishme në mirëfunksionimin e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ka të bëjë edhe me krijimin për herë të parë të njësisë për shërbimin ligjor në Prokurorinë e Përgjithshme me përfshirjen e këshilltarëve ligjorë e cila padyshim do ti japi një nxitje më të mirë për shpejtësinë e të gjitha proceseve dhe të gjithë veprimtarisë që kryhen nga prokuroria e përgjithshme.

Ulen vitet e nevojshme për të kandiduar si ndihmës ose këshilltar ligjor në shkollën e magjistraturës dhe kjo kryhet për të patur sa më shumë kandidatë që të kenë mundësi që të përfshihen në të gjitha njësitë e ndihmësave ligjorë në gjykata, porkurori, apo në të gjitha organet qeverisëse të sistemit të drejtësisë. Vendosen disa rregulla të qarta për funksionimin e mbledhjeve të përgjithshme të gjyqtarëve, mbi zgjedhjen e zv/Kryetarëve, duke patur mundësinë të mësojmë nga disa problematika që kanë dalë në praktikë, por gjithashtu për të dhënë një shërbim më të mirë edhe rolit të degëve të gjykatave që do të vijnë menjëherë pas miratimit të hartës së re gjyqësore, është rritur roli i tyre në gjykimin e çështjeve.

Nga ana tjetër përmirësohen garancitë dhe përfitimet që ofron statusi i magjistratit. Rritet shpërblimi i gjyqtarëve të gjykatave të posaçme dhe prokurorëve të SPAK-ut nga 60% në 80% të pagës bruto fillestare, duke përfshirë këtu edhe shpërblimin e heqjes dorë nga privatësia. Duke mbajtur në konsideratë që ky është një institucion që ne qytetarët, partnerët ndërkombëtarë, kanë një pritshmëri shumë të lartë, u dha mundësia e një mbështetje financiare, për pjesën e pagës së tyre, duke patur mundësinë që këto pritshmëri që ne kemi dhe duke ditur rolin e vështirë që SPAK sot ka për hetimin e çështjeve kundër korrupsionit në nivele të larta, por edhe krimit të organizuar, të mund t’i jepnim një mbështetje financiare më të madhe, me qëllim që të kemi mundësinë që vetë prokurorët, gjyqtarët ta kryejnë funksionin e tyre në mënyrë sa më komode, dhe të kemi të gjitha rezultatet që ne sot të gjithë i presim, sidomos në luftën ndaj pandëshkueshmërisë.

U njihet padyshim e drejta e shpërblimit të posaçëm duke ofruar kështu paketën financiare të mbështetur nga buxheti i shtetit dhe atyre magjistratëve që delegohen në gjykatat dhe prokuroritë e posaçme që nuk kanë emërimin përfundimtar. Nga ana tjetër përfitohet një shpërblim shtesë prej 10% të të gjithë atyre që ndodhen në skemën e delegimit me qëllim që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët ta pranojnë më lehtë pjesën e përfshirjes në skemën e delegimit duke patur edhe këtë mbështetje financiare, edhe për të krijuar mirëfunksionimin e të gjithë sistemit të drejtësisë. Por gjithashtu garanton edhe disa rregulla të qarta për përfitimin e kompensimit dhe mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit të të gjithë atyre që transefrohen apo caktohen përkohësisht.

Caktohen disa rregulla për përfitimin e pensionit të parakohshëm për magjistratët, dhe njëkohësisht duke mbajtur në konsideratë edhe numrin e ulët të gjyqtarëve për shkak të numrit të lartë të gjyqtarëve, prokurorëve të shkarkuar nga procesi i vettingut, ku sot jemi në shifrat e 58%, kemi tentuar me disa mënyra të rrisim numrin e gjyqtarëve që do jenë në sistem, ose nëpërmjet përfshirjes së njësive ligjore, këshilltarëve ligjorë që ti japin një mbështetje të gjithë gjyqtarëve.

Shkurtimisht qëllimi është vetëm të kuptojmë përse janë bërë këto ndryshime. Dhe duke patur parasysh që gjyqtarët dhe prokurorët që janë në sistem sot është nëj problematikë duke parë numrin e lartë të të larguarve sot, është parashikuar që nga një anë të kemi rritjen e numrit të këshilltarëve ligjorë, apo edhe të njësive siç janë në Prokurorinë e Përgjithshme apo edhe në gjykatat në shkallë të parë, por nga ana tjetër të kemi mundësinë që atë grup të gjyqtarëve dhe prokurorësh t’u japim mundësinë që me pëlqimin e tyre të dalin në pension jo në moshën 67 vjeç por në moshën 70 vjeç.

Nga ana tjetër rritet aftësia e SPAK për hetimin e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një nga problematikat që ka dalë edhe nga zbatimi në praktikë, ka rezultuar që numri i çështjeve që shkojnë për korrupsion edhe për korrupsion me shifra të vogla në SPAK është shumë i lartë. Dhe kjo merr të gjithë angazhimin dhe energjinë e SPAK për të hetuar mbi këto procese të cilat nuk kanë një ndjeshmëri shumë të lartë, pavarësisht se korrupsioni është gjithmonë i dënueshëm, por jo për pritshmëritë që ne kemi nga struktura e posaçme SPAK.

Për këtë arsye janë propozuar disa ndryshime që kanë të bëjnë me ndryshimin e kompetencës lëndore të SPAK në përputhje me kushtetutën, duke hequr veprat penale në fushën e korrupsionit të cilat kapin një vlerë prej 50 mijë lekë të reja, duke krijuar mundësinë kështu që SPAK të fokusohet në ato çështje që kanë rëndësi të veçantë. Por nga ana tjetër kemi parë që një sërë veprash penale të cilat kanë një rrezikshmëri shumë të lartë, ku sot janë një fenomen botëror në të gjitha vëndet Europiane dhe në të gjitha vëndet e botës, ka një luftë, ka masa të jashtëzakonshme që po merren, që ka të bëjë pikërisht me luftën kundër terrorizmit.

Kemi parashikuar që veprat penale kundër terrorizmit të përfshihen në kompetencën lëndore të SPAK. Gjithashtu ajo që është shumë e rëndësishme dhe jemi të gjithë koshientë, ka të bëjë me problematikën që sot po has BKH. Përsa i përket BKH, parashikimi financiar dhe mbështetja financiare si me paga, edhe me pjesën e shpërblimeve nuk ka qënë e parashikuar në paketën e mëparshme. Në këtë paketë parashikohet pikërisht trajtimi financiar me nivelin e pagave përsa i përket drejtuesit të BKH dhe të gjithë administratës, por njëkohësisht zv/Drejtorit dhe OPGJ-ve dhe njëkohësisht duke garantuar një përfitim të punonjësve të BKH-së në mënyrë të ngjajshme me përfitimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Dhe nga ana tjetër kemi marrë masa që të garantohet rekrutimi i administratës në këto institucione me integritet dhe aftësi për përmbushjen e detyrave duke i njohur dhe të drejtën e shpërblimit për vështirësi dhe heqjes dorë nga privatësia duke përfshirë në masën 50% të pagës së tyre ku më parë ishin 10% gjithmonë me fokusin që këto institucione janë institucione të posaçme dhe që punojnë në një vështirësi të jashtëzakonshme, duke hequr dorë dhe nga privatësia e tyre.

Këto janë drejtimet kryesore me të cilat paketa propozon ndryshimet të cilat ashtu siç thash nuk ka asnjë qëllim, përkundrazi kemi ruajtur fort shtyllat kryesore të reformës në drejtësi, por që t’i japin një mbështetje dhe t’i japin një mundësi më të mirë edhe rritjes së efektshmërisë por edhe trajtimit fianciar të atyre strukturave që janë të posaçme dhe pritshmëritë janë shumë të larta.

Faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ishte temë mjaftë e diskutuar gjatë ditës, teksa ministri i…