Ministrja Gërvalla arsyeton largimin e ambasadorëve (Video)
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka thënë se lirimi nga detyra e 12 ambasadorëve është bërë me arsyen e reformimit të shërbimit diplomatik.
Ajo ka thënë se vendimi në fjalë është marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në konsultim me kryeministrin Albin Kurti dhe i kanë propozuar presidentes Osmani të miratojë dekretet për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik i të gjithë ambasadorëve të emëruar politikisht.
“Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës”, ka thënë ajo përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare të MPJD-së në “Facebook”.
Ajo ka thënë se ky vendim ndër të tjera krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës.
Gërvalla ka thënë se ky vendim do të pasohet nga vendime tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare.