Ministrja Gërvalla kthen në Prishtinë konsullin e përgjithshëm nga Düseldorfi
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka kthyer në Prishtinë nga konsullata e Kosovës në Düseldorf, para skadimit të mandatit, diplomatin e karrierës, Arjan Kashtanjevën.
Njoftimin e ka bëbë publik vet Kashtanjeva përmes një njoftimi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kashtanjeva ka thënë se ndihet i befasur me këtë vendim nga MPJ-ja.
“Me të gjithë ju që jemi njohur personalisht apo kemi bashkëpunuar, sigurisht ndiheni të befasuar, ashtu siç po ndihem edhe unë, shumë nga miqtë e mi gjerman dhe diplomatët e shteteve të tjera të akredituara në Gjermani.”, ka shkruan Kashtanjeva.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur miq,
Ju njoftoj se kam pranuar një vendim të parakohshëm për kthim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende pa e përfunduar mandatin.
Me të gjithë ju që jemi njohur personalisht apo kemi bashkëpunuar, sigurisht ndiheni të befasuar, ashtu siç po ndihem edhe unë, shumë nga miqtë e mi gjerman dhe diplomatët e shteteve të tjera të akredituara në Gjermani.
Për mua si diplomat i karrierës, caktimi në themelimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Dyseldorf (KPD), ishte përgjegjësi shumë e madhe por ishte gjithashtu nder dhe privilegj. Ishte nder dhe privilegj të themeloj Konsullatën në Kryeqytetin jo vetëm të Vestfalisë (NRW) si Republika më e madhe në Gjermani por edhe të aktivistëve dhe veprimtarëve më të shquar shqiptar, dëshmorëve dhe veteranëve, sportistëve, afaristëve, studentëve e intelektualëve. Po ashtu kisha nderin të themeloja një Konsullatë që e kishin ëndërruar shumë atdhetar që nuk ndodhen më në mesin tonë.
Themelimi i një misioni diplomatik nga fillimi sigurisht që kërkon energji, përkushtim e durim e aq më tepër kur vetës i ke vënë kritere që ta bësh punën në mënyrën më të mirë e që me shumë krenari mundë të them se rezultatet e arritura flasin me vetë faktin se është Konsullata numër një e Republikës së Kosovës në botë me numrin dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara. Përveç shërbimeve që kryhen në kohë sa më të shpejtë duke përfshirë edhe shërbimet nga distanca, KPD posedon një objekt shumë reprezentativ në qendër të qytetit duke qenë shumë lehtë i qasshëm nga qytetarët tanë edhe përmes transportit publik.
Në objektin e Konsullatës janë krijuar hapësira të dedikuara për aktivitete të diplomacisë kulturore, ku kemi pasur rastin të organizojmë evente të ndryshme kulturore, hapësira për takime të shoqatave shqiptare, klubeve sportive, këndi i lodrave për fëmijë si dhe takime të nxënësve të shkollës shqipe. Poashtu është Konsullata e vetme e cila posedon Bibliotekën me afro tre mijë tituj librash të dhënë donacion nga mërgata jonë. Në objektin e Konsullatës janë të ekspozuara piktura të artistëve me renome shqiptare, që çdo vizitor ka ndjesinë se ndodhet në ndonjë ekspozitë të arteve.
Gjatë kësaj periudhe, pavarësisht sfidave të ndryshme me të cilat jam përballur si diplomat, jam munduar që punën time ta bëj me përgjegjësi dhe profesionalizëm.
Edhe pse në rrethana pandemike, kam arritur te krijoj një bashkëpunim kualitativ me autoritet vendore gjermane të Republikës NRW dhe diplomatë të huaj të akredituar në këtë Republikë, ku edhe shpreh rastin që publikisht të i falënderojë për bashkëpunimin e mirë që kishim këto vite.
Patjetër më duhet të e theksoj se për mua, ka qenë nder dhe privilegj i madh që gjatë kësaj periudhe të punoj për së afërmi me bashkatdhetarët tanë. Profesionistë të ndryshëm, atdhetar, biznesmenë, humanist të cilët kanë dhënë shumë për Kosovën dhe me punën e tyre në mërgatë na përfaqësojnë denjësisht. Të cilët i falënderoj sinqerisht për mbështetjen e tyre.
Konsullata e Përgjithshme në Dyseldorf nuk do të ishte model dhe lidere pa stafin e saj të zellshëm, profesional dhe shumë të përkushtuar që të jetë në shërbim të bashkatdhetarëve tanë. Ata nuk kursyen nga vetja duke sakrifikuar ditët e festave, fundjavat e tyre, punën pas orarit. Pa një mund dhe bashkëpunim të tillë Konsullata e Përgjithshme në Dyseldorf nuk do të ishte siç është sot! Ju faleminderit shumë!
Dhe krejt në fund, por jo me pak rëndësi një falënderim të veçantë për familjen time që gjithmonë më kanë përkrahur dhe mbështetur!
Ju faleminderit shumë dhe shihemi në rrugëtimet tona!
Sinqerisht,
Arjani