Ministrja Gërvalla në Parlamentin Evropian dhe Senatin e Mbretërisë së Belgjikës

14 nëntor 2023 | 21:12

Gjatë ditës së dytë të vizitës në Bruksel, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, fillimisht takoi grupet politike në Parlamentin Evropian.

Në Parlamentin Evropian, ministrja Gërvalla u prit nga Manfred Weber, president i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Philippe Lamberts, Bashkëpresident i grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian dhe eurodeputetët Klemen Grošelj nga grupi i partive liberale “Renew” dhe Thomas Waitz nga grupi i të Gjelbërve.

Gjatë këtyre takimeve ministrja Gërvalla i njoftoi eurodeputetët rreth arritjeve mbresëlënëse të Kosovës në shumë fusha dhe aspiratat euroatlantike të saj.

Bisedat u përqëndruan edhe rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke përfshirë edhe situatën e sigurisë pas aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.

Ministrja Gërvalla falënderoi eurodeputët për rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian, ku me gjuhë të vendosur u dënua agresioni serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Ministrja Gërvalla takime zhvilloi edhe në Senatin e Belgjikës, ku u prit nga senatori Fourat Ben Chikha, anëtar i delegacionit të Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), të cilin e informoi rreth progresit të Kosovës në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut, grupeve të margjinalizuara dhe të drejtave individuale të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Ajo theksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe falënderoi për votën pozitive të Belgjikës në etapën e parë, tashmë të përmbyllur, të anëtarësimit dhe shprehu shpresën e saj për mbështetje të delegacionit belg edhe në PACE.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çutaku ka thënë se janë qesharake…