Ministrja Gërvalla në vizitë pune në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, sot ka filluar një vizitë pune një ditore në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, ku do të takohet me personalitete të larta drejtuese të strukturave civile dhe ushtarake në NATO, si dhe me ambasadorët e shteteve aleate në NATO.
Vizita e ministres Gërvalla po realizohet në një kohë kur Evropa po kalon nëpër sfida kritike, cenim të vazhdueshëm të paqes dhe sigurisë si dhe influencës malinje në Evropë dhe në rajonin tonë.
“Në kuadër të takimeve të sotme do të përcjellët mesazhi i vendit tonë si faktor i rëndësishëm dhe kontributdhënës për paqen dhe sigurinë në rajon dhe përtej. Republika e Kosovës ndan vlerat e përbashkëta me NATO-n. Mbi 90% e qytetarëve të saj mbështesin anëtarësimin në NATO dhe BE. Gjatë këtyre takimeve ministrja Gërvalla do të kërkojë thellimin e bashkëpunimit dhe përshpejtimin e proceseve integruese euroatlantike deri në anëtarësim të plotë në NATO të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Ministria e Jashtme.