Ministrja Gërvalla takon homologen e Japonisë, në fokus thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimi ekonomik
Thellimi i marrëdhënieve bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Japonisë, mbështetja në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, bashkëpunimi në realizimin e projekteve dhe investimeve kapitale dhe strategjike ishin temat kyçe të takimit që zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla pati me ministren e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa.
Gjatë këtij takimi ministrja Gërvalla shprehu falënderimet e saj për gjithë mbështetjen e madhe që Japonia i ka dhënë Kosovës në shumë fusha, si në rindërtim, zhvillim ekonomik, arsim dhe proceset integruese.
Tutje ministrja Gërvalla e njoftoi homologen e saj rreth progresit që Republika e Kosovës ka arritur në demokratizim, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, respektim të të drejtave të njeriut etj.
Me ministren e Jashtme të Japonisë, ministrja Gërvalla foli edhe për zhvillimin e njohurive të teknologjisë informatike dhe digjitalizimit, duke u dakorduar për angazhim të përbashkët në realizimin e projekteve konkrete që për synim kanë tërheqjen e investimeve japoneze, krijimin e mundësive të punësimit të të rinjve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.