Ministrja gjermane uron Kosovën për viza: Ishte hap i vonuar
Ministrja gjermane për Evropën dhe Klimën pranë Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë, Anna Luhrmann, ka uruar Kosovën me rastin e liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian.
Ajo tha se vendimi ishte i vonuar prej kohësh, por është hap i rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në BE.
“Parlamenti Evropian miratoi përfundimisht liberalizimin e vizave për #Kosovën! Vendim i vonuar prej kohësh! Hap i rëndësishëm drejt #integrimit në BE + përfitim konkret për popullin kosovar”.
Ndryshe, Parlamenti Evropian të martën ka miratuar vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Pas këtij hapi pason nënshkrimi i tekstit që garanton liberalizimin e vizave për Kosovën.
Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në datën e funksionalizimit të sistemit ETIAS por jo më vonë se 1 janari 2024, pra, edhe nëse ky sistem nuk hyn në funksion deri në atë datë.
Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave nënkupton që qytetarët e Kosovës do të kenë kohë të qëndrojnë 90 ditë në Zonën Shengen, në një periudhë prej 180 ditësh.