Ministrja Hajdari: Gjendja e rezervave shtetërore është në nivel optimal
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se gjendja e rezervave shtetërore është në nivel optimal.
Hajdari, ka thënë se kur e kishim marrë qeverisjen, niveli dhe buxheti i rezervave shtetërore ishte shumë i dobët.
“Gjatë blerjes së rezervave shtetërore të mallrave nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë, janë përfillur të gjitha procedurat ligjore dhe me kompetencë të plotë ju them se nuk është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës”.
“Buxheti i ndarë për rezervat shtetërore ndër vite për fat të keq kishte qenë fare simbolik ndaj qeveria e ka rritur buxhetin për rezervat shtetërore”, ka thënë Hajdari, duke u përgjigjur në pyetjen parlamentare të deputetit të PDK-së, Elmi Reçica.
Më tutje, Hajdari ka thënë se janë ndarë 15 milionë euro buxhet për rezervat shtetërore.
“Në vitin 2022 e kemi rritur për 10 milionë euro buxhetin për rezervat shtetërore, ndërsa për 15 milionë euro për vitin 2023. Gjendja e rezervave shtetërore kur ne e kemi marrë qeverisjen ka qenë në nivel shumë të dobët, ndërsa sot është në nivel optimal dhe për këtë mund të quhet si storie suksesi”, ka thënë Hajdari.