
Ministrja Hajdari në vizitë zyrtare në Izrael
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka udhëtuar për vizitë në Izrael. Ajo do të ketë disa takime të rëndësishme gjatë qëndrimit të saj në Izrael, duke filluar me takimin e parë me ministrin e Ekonomisë, Nir Barkat për të diskutuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare në mes Kosovës dhe Izraelit.
Hajdari gjatë qëndrimit në Izrael do të takohet edhe me presidentin e Federatës së Dhomave të Tregtisë së Izraelit, Uriel Lynn dhe kryetarin e Grupit të Miqësisë Izrael – Kosovë, Erez Malul.
Takimet tjera në vijim përfshijnë Ministrinë e Turizmit, Bashkinë e Jerusalemit, Institutin e Eksportit të Izraelit dhe ndërmarrësit izraelitë të industrisë dhe teknologjisë, të cilëve nga ekipi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, do t’ju prezantohet industria kosovare në rritje dhe përparësitë e të bërit biznes në Republikën e Kosovës.