Ministrja Hajdari: Nuk kishte aferë me rezervat shtetërore
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në “RTK Prime” tha se nuk kishte asnjëherë aferë me rezervat shtetërore. Tha se Ministria që ajo drejton ka bërë punë të mirë që kanë blerë rezervat shtetërore.
“Shumë nga mendimet që janë dhënë prej shumë njerëzve janë që është thirrur kjo çështje aferë. Nuk ka të bëjë asgjë me aferë, ka të bëjë me një punë të mirë të ministrisë dhe ekipit të ministrisë që kanë blerë rezervën shtetërore, që kanë siguruar popullin e Kosovës në kohën më të vështirë kur ishin të ndaluara produktet bazë për hyrje në tregun tonë sepse filloi me luftën në Ukrainë”, deklaroi ajo derisa tha se nuk ka çfarë të shtojë më shumë sesa vendimet e Gjykatës së Apelit e Gjykatës Supreme.
“Nuk kam çka të shtoj më tepër. Ju keni parë vendimet e Gjykatës së Apelit e Supremes që konstaton që nuk ka pasur bazë që zyrtarët e ministrisë të burgosen derisa nuk është konstatuar një vepër penale dhe unë ia lë këtë drejtësisë të veprojë sipas ligjeve në fuqi sepse është një ligj për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar e një për Rezervën Shtetërore, e jam këtu për të përkrahur që e drejta të dal në dritë”, tha Hajdari në RTKprime.
Kur foli për intervistimin e saj, tha se është e gatshme për intervistim, sipas ligjeve në fuqi.
“E konkludoj që për zyrtarët e ministrisë flet vendimi i Gjykatës së Apelit e asaj Supreme. Sa i përket intervistimit tim, jam e gatshme për çdo intervistim sipas ligjeve në fuqi dhe pres që të zbatohet Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasfifikuar e Ligji për Rezervën Shtetërore dhe të tjera në fuqi dhe nuk më takon të shpalos më shumë për një sekret shtetëror”, theksoi ajo.
Hajdari tha se si ministre nuk ka qenë as e përfshirë në negocim, as në blerje, as në pranim, as në dorëzim.
“A jeni ju prokuror. Ju lutem mbylleni këtë temë sepse është çështje sekrete”, i tha Hajdari gazetarit.
“Se kur e mbyllë temën e vendosë unë”, i tha tutje Vishaj ministres që po e intervistonte.
“Sipas nenit 52 të Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar çdo dhënie e informacionit të pjesërishëm apo të plotë sekret është vepër penale”, deklaroi Hajdari që tha se po e shfrytëzon të drejtën të mos i përgjigjet pyetjeve për këtë çështje.
Hajdari: Në tri vitet e fundit 41 mijë biznese të regjistruara
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në “RTK Prime” tha se vetëm për tri vitet e fundit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizeseve janë 41 mijë biznese të regjistruara. Derisa foli për javën e ndërmarrësisë tha se është një javë që shënon një festë për inivatorët që idetë e tyre kreative i sjellin në jetësim.
“Kur kam marr në fillim mandatin kam gjetur një shthurje të proceseve të Ministrisë së Industrisë ku politikbërja dhe ekzekutimi nuk ishin te strukturuara mirë dhe që nuk ekzistonin politika sektoriale për sektorin privat. Gjatë këtij mandati kemi hartuar strategjitë për industri, e para industriale me vizion deri në vitin 2030, Strategjia e Turizmit, dhe në proces është Strategjia për Investime, për Politikat Tregtare po ashtu dhe Strategjia për Inovacion e Ndërmarrësi. Të gjitha këto strategji dëshmojnë që sektori privat ka potencial të pashpalosur”, tha tutje ministrja në intervistë në RTK.
E pyetur se çfarë u ofron shteti atyre që duan të hapin një qendër inovative, tha se u ofron hapësirën, zgjeron hapësirën në investimet kapitale dhe shteti u ofron edhe skemat e përkrahjes përmes granteve.
“Tashmë kemi një skemë që ka përfunduar aplikimi, pritet edhe 100 inovator të vijnë në listën përfituese”, tha ajo.
Hjadari foli edhe për kritikat e Odës Ekonomike të Kosovës, tha se Oda Ekonomike e ka për mision të kritikojë këtë qeveri.
“Nuk befasohem me deklaratat e tij sepse në kohën kur Kosova renditet në shumë raporte botërore si vendi më i sigurt për të investuar ai del me deklaratë se Kosova nuk ka siguri për të investuar”, tha ajo.
Hajdari tha se nuk ka politika fiskale në Ballkanin Perëndimor më të mira se në Kosovë.
“Po cilat janë politikat fiskale në Ballkanin Perëndimor se në Republikën e Kosovës kur ke një taksë korporatave vetëm 10 për qind. A duhet të gjitha të shkojnë në zero sipas kësaj perspektive, sipas Odës Ekonomike, apo duhet shteti të forcohet dhe të ketë një stabilitet për të bërit biznes”, tha ajo.
E pyetur se cila është marka më e njohur ndërkombëtarë që erdhi në Kosovë gjatë këtij mandati, ajo tha se sot erdhi marka e njohur ndërkombëtare suedeze “Volvo” që tha se në Kosovë solli veturën e parë në Ballkanin Perëndimor me një inteligjence artificiale që ofron më shumë siguri dhe mbrojte të ambientit. “Ardhja e një marke multikombëshe në Kosovë me traditë suedeze tregon shumë për vendin tonë sa i sigurt është”, tha ajo.