Ministrja Haradinaj-Stublla, Lajçakut: Kosova i përket Evropës
“Kosova, historikisht dhe gjeografikisht i përket Evropës dhe është e vendosur që të zë vendin e vet të merituar në strukturat e Bashkimit Evropian”, kështu ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pas takimit që ka pasur sot me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ajo ka thënë takimi i sotëm me Lajçakun, shërbeu për të shprehur qartazi indinjatën e Kosovës me padrejtësinë dhe vonesat e tejzgjatura për agjendën e liberalizimi të vizave, të drejtë të cilën Kosova e ka fituar me përmbushjen e të gjitha kritereve.
“Po ashtu shpalosa qëndrimin unik të Kosovës për gatishmërinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe në koordinim të plotë me ShBA-të dhe me ndihmën e Bashkimit Evropian”.
“Gjithashtu, shpreha nevojën që edhe BE të punojë në një dinamikë të re, që të shtyjë përpara njohjen e Republikës së Kosovës edhe nga pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.
(M.Q / Epoka e re)