Ministrja Haxhiu del me një teori rreth arsyes pse Faton Hajrizi shkoi në Serbi
Të premten e 19 korrikut autoritetet serbe thanë se Faton Hajrizi u vra nga policia serbe, pasi ishte në kërkim si i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri. Trupi i tij akoma nuk është sjellë në Kosovë, derisa avokati i autorizuar nga familja Hajrizi ka njoftuar sot se strishoja e gojës së nënës së të ndjerit është dhënë. Sipas avokatit Koci nuk ka më arsye që trupi i Hajrizit të mos transferohet në Kosovë. Ndërkaq mbrëmë ministrja Haxhiu tha se dikush e telefonoi të ndjerin para se arratisej nga Smrekonica dhe e ndërlidhi rastin e tij me protestat kundër litiumit në Serbi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të hënën e kaluar tha se Serbia ka dërguar shenjat e gishtërinjve të personit të vrarë më Serbi, si i dyshuar për vrasjen e policit në kufi. Sipas njoftimit të MPJD-së, ato shenja “janë krahasuar me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit dhe të njëjtat janë përputhur”.
Mirëpo Serbia nuk u mjaftua me kaq që të bindet për transferimin e trupit të Faton Hajrizit në Kosovë. Ata kanë kërkuar strishon e gojës së nënës së Faton Hajrizit, Shehrijes, për të parë përputhjen gjenetike mes tyre.
Këtë e ka konfirmuar avokati Arianit Koci javën e kaluar në një lidhje direkte në emisionin “Frontal”, në T7.
Koci e cilësoi si kërkesë të çuditshme, teksa tha se sipas zyrtarëve serbë, shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit nuk janë përputhur plotësisht.
“Sot ka qenë një ditë intensive. Nga mëngjesi jam në takim me polici dhe prokurori dhe si përfundim tash e pata një kërkesë pak të çuditshme për momentin për shkak se tani po kërkohet që të merret pështyma e nënës së Fatonit në mënyrë që aty të merret materiali gjenetik dhe të krahasohet më pas me materialin gjenetik të Fatonit. Unë e kërkova arsyen pse tani në këtë faze dhe pse nuk është kërkuar menjëherë në fillim. Sipas policisë thanë që shenjat e gishtërinjve, shenjat papilare nuk po përputhen tërësisht, pra pjesërisht përputhen. Si duke ka dëmtim të duarve ose nuk dua të spekulojë në atë drejtim edhe kërkuan që të martën të vijë zonja në stacionin e parë të policisë, vijnë ekspertët e tyre ia marrin pështymën dhe sekretin prej hundës dhe pastaj vazhdojnë tutje me analizat e tyre”, tha Koci.
Edhe kjo analizë e kërkuar nga Serbia tashmë është kryer. Koci tha se sot është dhënë edhe strishoja e gojës së nënës së Faton Hajrizit, Shehrijes dhe sipas tij nuk ka më arsye që trupi i të ndjerit të mos lirohet.
“Strishoja e gojës e nanës së Faton Hajrizit është dhënë. Çdo gjë ka shkuar sipas planit tim. Zonja është me mua, rrugës për në Skenderaj. Tanimë nuk ka asnjë arsye të mos lirohet trupi, posa të kryhet analiza e strishos”, ka shkruar Koci.
Pasi Koci e bëri të ditur këtë, nuk ka pasur më ndonjë njoftim për rastin.
“Telefonatë para se arratisej”, “Protestat kundër litiumit në Serbi” – deklaratat e ministres Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas arratisjes së Faton Hajrizit dhe vrasjes së tij në Serbi, ka lëshuar disa deklarata, madje për një prej tyre u intervistua nga Prokuroria Speciale.
Fillimisht ajo ngriti dyshimet nëse Hajrizi është vrarë njëmend dhe kërkoi hetim të gjerë e të thellë për këtë rast.
“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dimë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë…”, ka deklaruar Haxhiu në ditën kur autoritet serbe deklaruan se Hajrizi është vrarë.
Ajo e ndërlidhi Serbinë me arratisjet nga burgjet e Kosovës, ku tha se “janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.
“Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, tha Haxhiu.
Ndërkaq mbrëmë, në në emisionin “60 minuta”, të KTV-së, Haxhiu tha se ka pasur një telefonatë nga Smrekonica dikush me Faton Hajrizin para se të arratisej dhe tha se nuk ka deklaruar që Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës.
Haxhiu rastin e Faton Hajrizit e ndërlidhi me protestat kundër litiumit në Serbi.
“Jam alarmuar kur kam kuptuar se prokurori në Mitrovicë s’po merr veprime për shkak se ka punë të tjera. Kemi shkuar te Kryeprokurori Besim Kelmendi, kemi alarmuar se kemi rastin e Faton Hajrizit dhe se prokurori nuk po nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve. Më pas ka pasur lëvizje nga prokurori. Ka pasur një telefonatë nga Smrekonica nga dikush me Faton Hajrizin para se të arratisej. Institucioneve gjegjëse iu është dashur numri kontaktues dhe prokurori s’ka lejuar që të japë qasje në listën e numrave të telefonit. Është dashur të veprojmë ne që të hapen rrugë… Unë s’kam thënë se Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës, por organet gjegjëse sugjerojnë ashtu. Kush do ta kuptojë ashtu, unë s’kam çfarë t’i bëjë. Mendoj se është e rëndësishme që institucionet si prokurori të jetë në komunikim të plotë me AKI-në. Aty ku ka pasur bashkëpunim kemi pasur suksese, rasti me spiunazhin është i fundit…Unë kam thënë se informacionet e organeve tona në disa raste janë që këto arratisje nga burgje janë cytur nga grupe kriminale. Në rastin e fundit, ende ka diskutime nëse është vrarë ose jo. Rasti ka ndodhur në prag të nënshkrimit të kontratave të litiumit në Serbi, e vendi i vrasjes së policit ku ka ndodhur është 9 kilometra nga vendi ku planifikohet të ndërtohen minierat. Ka pasur paralajmërime për protesta, e kur ka ndodhur ky rast, është izoluar lokacioni dhe s’ka pasur mundësi të ketë reagime”, ka thënë Haxhiu.
Kurti kërkoi nga qytetarët të mos bien pre e “euforisë së heroizmit”: Patriot është Afrim Bunjaku
Kryeministri Albin Kurti para një jave kur u pyet nëse autoritetet kanë konfirmuar vrasjen e Faton Hajrizi, nuk është deklaruar.
Ai është arsyetuar se ka shumë punë si kryeministër dhe se nuk mund ta kryejë edhe punën e ministrit. Për këtë informacion, ai ka drejtuar gishtin kah Gërvalla dhe Haxhiu.
“Dy ministri tona, të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë e trajtojnë këtë rast. Nuk kam nevojë ta bëjë edhe punën e ministrit, besoni kam shumë punë si kryeministër”, ka thënë Kurti para gazetarëve më 23 korrik.
Ndërkaq një ditë më vonë, (24 korrik) ai e nisi mbledhjen e qeverisë duke u marrë me tashmë të ndjerin. Ai kërkoi hetim ndërkombëtar dhe vendor për të sqaruar rrethanat e ikjes së tij nga burgu i Smrekonicës dhe ikja në drejtim të Serbisë.
Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e “euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit”, derisa shtoi se “patriot është rreshteri i vrarë në sulmin e Banjskës Afrim Bunjaku, dhe 28 zyrtarë tjerë policor të rënë në detyrë”.