Ministrja Haxhiu i shkruan letër kryetares së Gjykatës Speciale: Heqja e kravatës së Krasniqit, akt absurd
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova që të adresojë çështjen e heqjes së kollares së Jakup Krasniqit, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.
Portali “Koha” ka publikuar letrën, ku thuhet se ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës.
“Përmes kësaj letre, ju shkruaj lidhur me situatën e fundit që ka ndodhur në seancën gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas informatave që kemi pranuar, para se z. Jakup Krasniqi të hynte në sallën ku mbahen seancat gjyqësore, iu është larguar kollarja që mbante veshur, pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim. Madje kur kjo është ngritur si shqetësim nga avokatja, e njëjta ka marrë përgjigjen nga gjyqtari Charles Smith se ai nuk ka informacione dhe që do të interesohet për këtë. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës”, thuhet në letër.