Ministrja Haxhiu mblodhi Bordin Këshillëdhënës të Institucionit të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik
Me qëllim të ngritjes së përgjegjësisë dhe funksionalizimit efektiv të këtij Bordi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbledhur anëtarët të cilët përfaqësojnë institucione të larta të vendit si Ministria e Punëve të Brendshme, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Koordinatori Nacional për Luftimin e Krimit Ekonomik, Drejtoria e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, etj.
Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ky Bord, që prej themelimit të tij, në vitin 2014, është mbledhur vetëm tre herë deri më tani, gjë që tregon edhe për neglizhencë kundrejt rëndësisë që do të duhej të kishte ky organ, në luftimin e krimit ekonomik në Kosovë.
“Si fillim të gjithë anëtarët e Bordit, u dakorduan për mbledhje të shpeshta dhe të rregullta, për bashkëpunimi ndër-institucional të intensifikuar. Në këtë takim u ritheksuan zëshëm kompetencat dhe përgjegjësitë që Koordinatori Kombëtarë për Luftimin e Krimit Ekonomik ka, veçmas për raportim përpara këtij Bordi. Nga kjo mbledhje u konstatua se duhet sa më parë të bëhet interpretimi i dispozitave për sekuestrimin dhe konfiskimin, qartësim dhe përmirësim të politikave ndëshkimore, si dhe u theksua nevoja për të mbajtur trajnime me zyrtarët përkatës në profilin përkatës (krim ekonomik, pastrim parash, fajde etj)”, ka njoftuar Ministria e Drejtësisë.