Ministrja Haxhiu takohet me shefin e OSBE-së, diskutojnë për sundimin e ligjit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, me të cilin ka diskutuar për prioritetet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Me këtë rast, ministrja Haxhiu ka thënë se OSBE-ja mbetet një partner i fuqishëm i Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Ndërsa shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, pasi e ka uruar ministren Haxhiu për detyrën e saj, ka thënë se ky mision do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e mëtejmë të institucioneve të pavarura, demokratike dhe në rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, në promovimin e të drejtave të njeriut, komuniteteve dhe për sundimin e ligjit.
Ministrja Haxhiu dhe Ambasadori Braathu gjatë këtij takimi, kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë në proceset që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës.
/Epoka e re/