Ministrja Haxhiu thotë se lirimi i Radoiçiqit nuk është befasues
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se lirimi i Milan Radoiçiq, nuk është veprim që e ka befasuar pas sipas saj Serbia është strehë për kriminelët e luftës dhe terroristët.
Haxhiu ka thënë se Serbia nuk i ka dorëzuar asnjëherë kriminelët e luftës e nuk do t’i dorëzojë as terroristët, duke aluduar në Radoiçiqin, i cili pasi është arrestuar dje nga autoritetet në Beograd është liruar ende pa i mbushur 24 orë në burg.
“Sulmi terrorist në Kosovë është dirigjuar, siç është dëshmuar, nga Serbia dhe në këtë drejtim, çfarëdo veprimi në raport me këtë çështje, me grupin e armatosur, që e bën Serbia nuk na befason aspak. Serbia nuk i ka dorëzuar asnjëherë kriminelët dhe nuk do t’i dorëzojë as terroristët. Thënë qartë, Serbia është strehë e kriminelëve të luftës dhe terroristëve që para 10 dite bën sulm terrorist në territorin e Kosovës”, ka thënë Haxhiu të mërkurën për media.
Ministrja Haxhiu ka siguruar qytetarët që institucionet e drejtësisë janë duke bërë punë të mirë për ta hetuar sulmin e armatosur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku ka vdekur rreshteri Afrim Bunjaku. Po, për shkaqe hetimore, ajo ka thënë se s’mund të jep më shumë detaje.