Ministrja Hoxha autorizohet për të nënshkruar fondet e IPA-s 2018
Kabineti qeveritar të martën ka autorizuar ministren e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha për të nënshkruar marrëveshjen financiare në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian IPA 2018 në vlerë prej 90.5 milion euro.
Në këtë mbledhje ministrja Hoxha ka folur edhe për zbatimin e Programit Kombëtar për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (PKZMSA) gjatë vitit 2018, me ç’rast ka thënë se shkalla e përgjithshme e zbatimit është 68.23 për qind pasi që 363 nga 532 masat janë zbatuar.
Sipas saj, performanca e vitit 2018 për 6 për qind ka qenë më e mirë krahasuar me vitin paraprak.
“Shkalla e zbatimit të masave legjislative është 55.56 për qind pasi që 80 nga 144 masa të planifikuara janë zbatuar, ndërsa shkalla e zbatimit të masave zbatuese është 72.94 për qind pasi që 283 nga 388 masa të tilla të planifikuara janë zbatuar”, ka deklaruar Hoxha, duke përmendur reformat e planifikuara por që nuk janë realizuar në administratë, bujqësi dhe transport rrugor.
/Epoka e re/