Ministrja Hoxha: Barazia gjinore të jetë prioritet për të gjithë sektorët
Me rastin e lansimit të analizës gjinore në Kosovës, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka mbajtur një fjalë rasti ku ishin të pranishme përfaqësueset e rrjetit të grave të Kosovës dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së, në krye me Apostolova, me ç’rast ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme për Kosovën nga Bashkimi Evropian.
Nëpërmjet Instrumentit të Para-anëtarësimit, IPA, periudhën 2007-2013, ajo ka treguar se Kosova ka marrë vlerë prej mbi 600 milionë euro, dhe për periudhën aktuale financiare të BE-së, 2014-2020, pritet që deri në fund të saj, të ketë shumën e njëjtë të financimit, me mundësi edhe rritjeje.
“Gjatë kësaj kohe, ne kemi integruar elementet e harmonisë gjinore në të gjitha dokumentet planifikuese sektoriale, duke përfshirë sektorët sikurse Sundimi i Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut, Energjia, Bujqësia, Mjedisi, Reforma e Administratës Publike, Menaxhimi i Financave Publike si dhe Konkurrueshmëria dhe Inovacioni”, ka theksuar Hoxha.
Sipas saj, janë ndërmarrë masa që ministritë përfituese nga këto fonde të integrojnë elementin gjinor që nga faza fillestare e planifikimit e deri në zbatimin e këtyre projekteve.
“Konsiderojmë se kemi arritur që gjatë viteve të fundit të përmirësojmë ndjeshëm cilësinë e dokumenteve të IPA-s për sa i përket harmonizimit gjinor, dhe këtë e kemi bërë pikërisht me ndihmën e Rrjetit të Grave të Kosovës. Ne besojmë se ne kemi nevojë të vazhdojmë bashkëpunimin tonë, drejt një tranzicioni që mundëson arritjen e pronësisë tonë ndaj procesit të harmonizimit gjinor në kuadër të realizimit të asistencës së BE-së për Kosovën, dhënë nëpërmjet IPA-s”, është shprehur ministrja Hoxha.
Ajo ka thënë se gratë e Kosovës kanë arritur suksese të dukshme, janë avancuar në universitete, në nivelin e punësimit në biznes, kulturë, art dhe fushat tjera.
Sipas Hoxhës, gra të jashtëzakonshme kanë siguruar rrugën që zëri i tyre të dëgjohet duke shfrytëzuar talentin e tyre edhe për fuqizimin ekonomik të grave, si parakusht për zhvillimin ekonomik e social të shoqërisë.
Ministrja Hoxha ka shtuar se si koordinatore kombëtare e IPA-s, do të vazhdojë përpjekjet për arritjen e harmonizimit gjinor në kuadër të fondeve IPA.
Ajo ka treguar se është ndërtuar një model i suksesshëm i bashkëpunimit me qëllim të harmonizimit gjinor që mund të përdoret si shembull edhe për institucionet tona në kuadër të proceseve të tjera.
/Epoka e re/