Ministrja Hoxha: BE-ja mbetet adresa jonë e vetme
Në tryezën me temën “Rruga e Kosovës në Integrimin Evropian nga pikë vështrimi i treshes së Presidencës së Këshillit të BE-së”, me praninë e ambasadorëve të Kroacisë, Finlandës dhe Rumanisë, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha , ka vlerësuar vendimmarrjen e tyre.
Organizatorë të kësaj tryeze diskutimi janë misionet diplomatike të treshes kryesuese të Këshillit të BE-së, përkatësisht, ambasada e Kroacisë, ambasada e Finlandës dhe Zyra Ndërlidhëse e Rumanisë në Kosovë, në bashkëpunim me Grupin për Studime Ligjore dhe Politike.
Në këtë tryezë, së bashku me ambasadoren Maria Kapitanoviq, ambasadoren Pia Stjernvall, Daniel Onișor si dhe mysafirët tjerë, u diskutua për arritjet, sfidat dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.
“BE-ja mbetet adresa jonë e vetme për paqe të qëndrueshme, prosperitet dhe mundësi të barabarta për qytetarët tanë. Nga Presidenca e Këshillit të BE-së, dhe nga BE-ja në përgjithësi, ne kërkojmë qasje objektive, vlerësim konform të arriturave tona, njëjtë sikur për vendet tjera aspirantë drejt BE-së, duke marrë vëmendjen e merituar”, ka potencuar ministrja Hoxha, përballë pasigurive të ndryshme lidhur me zhvillimet në BE-së dhe jashtë saj.
“Unë e mirëpres vizionin e vendeve kryesuese të Këshillit të BE-së dhe shpreh përkushtimin tim, në emër të institucioneve, për të bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë drejt realizimit të vizionit tonë të përbashkët”, ka thënë Hoxha.
Më pastaj, me diskutime të pjesëmarrësve, u mirëpritën qasjet pozitive ndaj të arriturave të Kosovës, duke marrë edhe në përvojat më të mira të procesit integrues nga vendet që tashmë e kanë realizuar atë, si dhe në fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin e MSA-së me reformat gjithëpërfshirëse, duke e bërë Kosovën të gatshme të bëhet pjesë e vlerave dhe familjes së madhe evropiane.
/Epoka e re/