Ministrja Hoxha e bindur se sivjet hiqen vizat
Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
Duke u ndërlidhur me Raportin e Progresit, Hoxha ka thënë se ky raport shërben si udhërrëfyes për vendin.
Ministrja Hoxha është shprehur optimiste se brenda këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza.
Në këtë kontekst, Hoxha ka bërë me dije se javën e ardhshme presin një mision vlerësues nga Komisioni Evropian për çështjen e vizave.
“Me publikimin e raportit të vendit, Qeveria ka reaguar menjëherë duke i identifikuar sfidat dhe rekomandimet që kanë dalë nga raporti i vendit. Kemi dhënë afate kohore, ju kemi dhënë përgjegjësitë të gjitha atyre që janë të përmendura në mënyrë direkte ose indirekte”, ka thënë ministrja Hoxha në konferencën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në BE”.
/Epoka e re/