Ministrja Hoxha e zhgënjyer për vonesat në liberalizimin e vizave
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën organizimin e “Friends of Europe”, me temën “BE-Ballkani Perëndimor: Zgjerimi, integrimi dhe sfidat e transformimit”.
Në kuadër të këtij takimi, me diskutime interaktive, kanë marrë pjesë drejtues të institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian si dhe shteteve aspiruese për integrim nga Ballkani perëndimor.
Ministrja Hoxha, pas diskutimit, ka takuar Christian Danielsson, drejtor i përgjithshëm i Komisionit Evropian për Negocimet e Përafrimit dhe Zgjerimit, dhe me këtë rast ka shprehur brengën e thellë të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, pas paralajmërimit të vonesave për liberalizimin e vizave, të cilat i ka pritur qytetari i Kosovës, përkundër plotësimit të 95 kushteve nga udhërrëfyesi.
Ministrja Hoxha, ka theksuar se institucionet e BE-së, duhet të trajtojnë njëjtë vendet e Ballkanit perëndimor, sepse, sipas saj, të gjitha vendet kanë probleme dhe sfida të njëjta, Kosova nuk bën asnjë dallim, madje, shumë fusha që vlerësohen në procesin integrues por edhe nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, Kosova qëndron mjaft mirë.
Danielssoni ka vënë në në dukje se vërtetë Kosova ka arritur progres dhe realizim të kushteve por, procedurat në BE- janë të tilla, me mjaft procedura, por ai ka theksuar se, mbështet plotësisht lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.
/Epoka e re/