Ministrja Hoxha: Epokë e re për vendin dhe qytetarët tanë, urime!
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka përgëzuar qytetarët me rastin e lajmit nga Brukseli se rekomandimi për liberalizimin e vizave është pozitiv.
Ja postimi i plotë i ministres Hoxha në rrjetin social “Facebook”:
Sot, qytetarët e Republikës së Kosovës, morën lajmin e shumëpritur, Rekomandimin pozitiv për vazhdimin e procedurave për lëvizjen e lirë.
Epoka e re e vendit dhe qytetarëve tanë, tashmë po merr dinamikën dhe orientimin e duhur, të pakthyeshëm, të procesit integrues, përafrimin me vlerat evropiane.
Lëvizja e lirë, do të jetë rast që vendi ynë, të përmbyll më shpejt procesin integrues euro-atlantik, duke marrë dhe adoptuar, vlerat më të mira për zbatimin e ligjit, për arsim, shëndetësi, ekonomi, ambient dhe të gjithë fushat e jetës së qytetarëve tanë.
Vlerat e popullit tonë, ishin, janë dhe mbeten, pjesë e traditës, mendësisë, kulturës dhe historisë evropiane. Lëvizja e lirë, do t’i fuqizoj këto vlera.
Urime dhe gëzuar!”