Ministrja Hoxha falënderon deputetët për votimin e projektligjeve ndërkombëtare
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se votimi i projektligjeve që lidhen me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, i japin shtytje vendit tonë në shumë fusha, duke kontribuar për procesin integrues.
“Andaj i falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votim. Me miratimin e këtyre marrëveshjeve, ne, vendin tonë e bëjmë gati për integrim. Të drejtat e njeriut, efiçienca e energjisë, ekonomia digjitale, siguria ushqimore, lidhshmëria e arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale, janë fusha ku do të përdorën fondet e Marrëveshjes së parë, ku vlera arrin në 48 milionë euro, përkrahje nga BE-ja për Kosovën”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka shtuar se programi “Evropa për qytetarët”, përmban fonde prej 187 milionë euro që synon të promovojë qytetarinë aktive evropiane dhe si fokus ka autoritetet lokale, organizatat hulumtuese të politikave, grupet e qytetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile.
“Kosova po ashtu, me Programin Erasmus+, bëhet vend partner i BE-së, dhe përfiton nga rrjete të ndryshme të mbështetjes së politikave evropiane siç janë Korniza evropiane e kualifikimeve, Eurydice, Europass dhe Euroguidance dhe platformat elektronike (eTëinning dhe EPALE). Kosova kështu bëhet e barabartë me fqinjët e Ballkanit Perëndimor si dhe me vendet anëtare të BE-së për rrjetet mbështetëse të politikave, duke fuqizuar perspektivën evropiane dhe të ardhmes drejt BE-së”, ka thënë ministrja Hoxha.
/Epoka e re/