Ministrja Hoxha: BE-ja na ka hapur derën që të bëhemi pjesë e saj
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka mirëpritur publikimin e strategjisë së Bashkimit Evropian për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilës është edhe Kosova.
Ajo ka thënë se më anë të kësaj strategjie Kosovës i është hapur dera për t’u bërë pjesë e BE-së.
Sipas Hoxhës, është tejet pozitive që BE-ja ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces.
“Të gjitha detyrat që ne duhet t’i kryejmë janë të përcaktuara qartë në Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, Agjendën Evropiane për Reforma dhe programin për reforma ekonomike. Ne vetëm duhet t’i zbatojmë këto dhe sa më shpejtë që këtë e bëjmë, aq më shpejtë ecim përpara drejt anëtarësimit në BE”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Dhurata Hoxhës:
Mirëpres Strategjinë e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilës është edhe Kosova. BE na e ka hapur derën që të bëhemi pjesë e saj, por ne jemi ata që duhet të ecim nëpër këtë derë. Në këtë fazë, kemi pritur që të specifikohen më konkretisht hapat rreth procesit integrues të vendit tonë, por megjithatë rruga jonë drejt BE-së nuk ka alternativë.
Është tejet pozitive që BE ka konfirmuar se Kosova e ka vendin e vet në BE dhe e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia në këtë proces. Fakti që BE e trajton procesin e aderimit të Kosovës në BE të ndarë nga Serbia, për mua është një njohje e shtetësisë së Kosovës, përkundër mosnjohjes nga disa shtete anëtare të BE-së dhe rezistencës që kanë shfaqur disa shtete që Kosova fare të mos përfshihet në këtë strategji.
Po ashtu, është tejet pozitive që BE kërkon kategorikisht që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje juridikisht të detyrueshme si parakusht për anëtarësimin e tyre në BE.
Të gjitha detyrat që ne duhet t’i kryejmë janë të përcaktuara qartë në Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, Agjendën Evropiane për Reforma dhe programin për reforma ekonomike. Ne vetëm duhet t’i zbatojmë këto dhe sa më shpejtë që këtë e bëjmë, aq më shpejtë ecim përpara drejt anëtarësimit në BE.
Shfrytëzoj rastin të ftoj, të gjitha institucionet e Kosovës që të jemi unik për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së sepse jemi popull dhe shtet evropian dhe nuk kemi ndonjë alternativë tjetër. Apeloj që të kemi konsensus ndërinstitucional dhe të kemi një qëndrim të përbashkët mes Qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe t’i japim prioritetin më të madh zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim dhe Asociimit dhe reformave që duhet t’i bëjmë.
Vetëm kështu i shërbejmë qytetarëve tanë dhe vetëm kështu do të bëhemi pjesë e BE-së, aty ku e kemi vendin.