Ministrja Hoxha: Kampanja për ditën e Evropës është pro vlerave evropiane

06 maj 2019 | 17:40

Sot ka filluar kampanja vetëdijesuese me temën: ‘Potenciali i Rinisë së Kosovës drejt BE-së’ nën organizimin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

Takimi i parë është mbajtur në Prishtinë, ku kanë qenë të pranishme ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, Behije Murtezi balerinë e Baletit Kombëtar të Kosovës, Hana Qerimi, themeluese e “Shkollës Digjitale” si dhe studentë e të rinj.

Me këtë rast, ministrja Hoxha ka thënë se është kënaqësi e veçantë të flet për rininë kosovare si një ndër potencialet më të mëdha që ka Kosova.

Duke folur për gjendjen para dhe pas çlirimit të vendit, ajo ka theksuar rëndësinë e integrimit në organizatat ndërkombëtare.

Sipas ministres Hoxha, Kosova tashmë meriton liberalizimin e vizave.

“Kosova është i vetmi vend evropian që shënon 9 majin, Ditën e Evropës, kjo dëshmon orientimin tonë evropian. Edhe pse ende nuk e gëzojmë lirinë e lëvizjes, Kosova përbën vendin më proevropian. Presim që BE-ja të ndërmerr hapin e radhës për t’i hapur rrugë e mundësi rinisë së Kosovës. Kosova meriton liberalizimin”, është shprehur Hoxha, duke shtuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që potenciali rinor të ketë perspektivë të qëndrueshme.

“Edhe BE-ja vazhdimisht e mbështet rininë e Kosovës me projekte të shumta që kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit arsimor, shkollimit profesional, përmirësimin e infrastrukturës sportive, kulturore, mundësitë për shkollim dhe programe shkëmbimi me universitetet më prestigjioze të Evropës”, ka theksuar ministrja Hoxha.

Ndërkohë, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka vlerësuar  se të rinjtë janë pasuria më e vlefshme e Kosovës.

“Rinia e shtyn përparimin dhe ata duhet të pajisen me aftësi për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës. Në BE, ne mbështesim të rinjtë duke e bërë arsimin prioritet. Mbështesim ristrukturimin e sektorit të arsimit dhe ndihmojmë mësuesit me parime që të marrin njohuri për shkollimin modern. Ne ofrojmë mundësi për të studiuar jashtë vendit nëpërmjet programit Erasmus +. Autoritetet e Kosovës gjithashtu duhet të angazhohen më shumë, të riorganizojnë prioritetet dhe të investojnë në arsim dhe punësim për rininë”, ka deklaruar Apostolova.

Ndërsa, Behije Murtezi balerinë e Baletit Kombëtar të Kosovës, ka vlerësuar  kapacitetin e rinisë së Kosovës, por ka thënë se duhet mbështetje për të shfaqur kapacitetin e vet krahas rinisë evropiane.

Kurse Hana Qerimi themeluesja e “Shkollës Digjitale” ka diskutuar për potencialin e rinisë në fushën digjitale, me ç’rast ka folur për një storie shumë të suksesshme personale me më shumë se 10 qendra në Kosovë dhe në tri shtete tjera.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë politike shqiptare përvetësojnë meritat për fitoren e Stevo Pendarovskit…