Ministrja Hoxha kërkon angazhim të shtuar për implementimin e MSA-së
Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, gjatë mbledhjes se Qeverisë ka paraqitur gjendjen e zbatimit të Programit Kombëtar për Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), gjatë tremujorit të parë të këtij viti, bazuar në raportin e hartuar nga Ministria e Integrimit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
“Për këtë vit ky program ka paraparë zbatimin e 531 masave afatshkurta, prej të cilave 144, ose rreth 27 për qind e tyre, janë masa legjislative, ndërsa pjesa tjetër prej 387 masave, ose rreth 73 për qind e tyre, janë masa zbatuese”, ka theksuar ministrja Hoxha, duke shtuar se gjatë tremujorit të parë është arritur një shkallë e përgjithshme e zbatimit të Programit prej 53.85 për qind.
Hoxha ka theksuar se 21 nga 39 masat e planifikuara për këtë tremujor janë zbatuar, ndërsa pjesa e mbetur prej 18 masave, ose 46.15 për qind, akoma nuk kanë arritur të zbatohen.
Përveç këtyre, ministrja Hoxha ka cekur edhe 23 masa të tjera që janë zbatuar para afateve të planifikuara.
“Deri në fund të tremujorit të parë, janë zbatuar gjithsej 44 masa, të cilat përbëjnë 8.29 për qind nga 531 masa të planifikuara”, ka thënë Hoxha.
Ministrja Hoxha ka thënë se sa i përket zbatimit të reformave të gjeturat tregojnë se kanë i arritur një shkallë zbatimi prej 13.89 për qind, pasi që janë zbatuar 20 nga 144 masat afatshkurtra legjislative të planifikuara për tërë vitin, ndërsa 124 prej tyre, 86.11 për qind, akoma nuk kanë arritur të zbatohen.
“Deri në fund të marsit drejt zbatimit të masave, të gjeturat tregojnë se është arritur një shkallë zbatimi prej 6.20 për qind, pasi që është arritur të zbatohen 24 nga 387 masat afatshkurtra të planifikuara, ndërsa 363 prej tyre, ose 93.8 për qind, akoma nuk kanë arritur të zbatohen”, ka thënë Hoxha.
Në këtë mbledhje ministrja Hoxha ka paraqitur edhe përmbledhjen e reformave kyçe që duhet të zbatohen dhe ato që kërkojnë vëmendje më të madhe deri në fund të tremujorit të dytë të këtij viti.
/Epoka e re/