Ministrja Hoxha kërkon konsensus nacional për procesin e integrimit evropian
Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, gjatë seancës se jashtëzakonshme për Raportin e Progresit, ka thënë se është koha e fundit që të gjithë ta kuptojnë rolin e tyre në procesin e integrimit evropian, pavarësisht çfarë funksioni mbajnë.
“E kemi raportin për vendin dhe sfidat e identifikuara. Po ashtu e kemi Agjendën Evropiane të Reformave dhe MSA-në si dokumente udhërrëfyese. Le të krijojmë një konsensus nacional për të gjitha çështjet dhe reformat që janë pjesë e këtyre dokumenteve dhe të ecim para”, ka thënë Hoxha.
Ministrja Hoxha ka përmendur shkurtimisht të arriturat e evidentuara në këtë raport, siç janë zgjedhjet e vitit 2017, demarkacioni me Malin e Zi dhe progresi në reformën e administratës publike.
Në kuadër të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ministrja Hoxha ka thënë se është shënuar progres në trajtimin e rasteve të shënjuara, duke përfshirë vendimet e shkallës së fundit si dhe në konfiskimet preliminare, progres në luftën kundër terrorizmit, masat për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, radikalizmin dhe parandalimin e qytetarëve për t’u bashkuar konflikteve në vendet e treta.
Sipas ministres Hoxha, Raporti ka evidentuar si sfidë, fragmentimin dhe polarizimin e vazhdueshëm politik, duke ndikuar negativisht në rolin e Kuvendit dhe në efektivitetin e Qeverisë.
“Ka shqetësime sa i përket politizimit të administratës, duhet të punohet në rritjen e kapaciteteve të gjyqësorit dhe eliminimit të ndikimit politik, institucionet të jenë më efektive për të luftuar pastrimin e parave, korniza ligjore garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në përputhje me standardet evropiane por megjithatë, nevojiten përpjekje shtesë lidhur me zbatimin, Ekonomia joformale, rritja e papunësisë e cila kryesisht ka prekur gratë, të rinjtë dhe punëtorët e pakualifikuar, përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe adresimi i boshllëqeve të aftësive në tregun e punës si dhe adresimin e çështjeve mjedisore”, ka theksuar Hoxha.
/Epoka e re/