Ministrja Hoxha kërkon mbështetjen e Francës për vizat

24 prill 2018 | 16:49

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin ka diskutuar për të arriturat dhe sfidat e Raportit të Progresit.

Me këtë rast Hoxha ka theksuar se Raporti i Komisionit Evropian është objektiv dhe udhëzues i mirë për të arriturat dhe sfidat, duke u përqendruar në prioritetet e procesit nëpër të cilin po kalon vendi.

“Raporti është objektiv, ka evidentuar të arriturat tona por edhe sfidat, duke dhënë udhëzime se ku duhet të përqendrohemi për të përshpejtuar synimet tona integruese. Ne besojmë se arritjet tona janë në pajtim me kërkesat për liberalizimin e vizave, 95 nga të cilat janë realizuar. Arritjet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk do të ndalen edhe pas liberalizimit të vizave, ngase këtë dukuri negative do ta luftojmë vazhdimisht, në pajtim me vlerat që aspirojmë”, është shprehur Hoxha, duke kërkuar mbështetjen e Francës për vendimin e liberalizimit të vizave.

Ministrja Hoxha ka theksuar rëndësinë e konsensusit nacional në procesin integrues, sepse sipas saj, kjo është alternativa e vetme sa i takon të ardhmes së Kosovës brenda Bashkimit Evropian dhe vlerave të saj.

Ndërsa, ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, ka thënë se Franca ka përkrahur vazhdimisht dhe do ta përkrah në të ardhmen, procesin integrues të Republikës së Kosovës, duke kontribuar në rrafshin ndërkombëtar por edhe në shtetndërtim.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të qëndrimit në…