Ministrja Hoxha kërkon më shumë përkushtim për zbatimin e agjendës evropiane
Në takimin ministror për Integrime Evropiane, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Haradinaj, ministrja e Integrimit Evropian, ka diskutuar për raportin përmbledhës të Agjendës Evropiane të Reformave ose ERA 1 si dhe prioritetet e propozuara për ERA 2.
Ministrja Hoxha ka vlerësuar punën e bërë për ERA 1 duke vënë në dukje të arriturat dhe proceset që janë në zbatim e sipër.
Ajo ka theksuar se në disa veprime ka pasur progres, por sipas saj nuk mund të konsiderohen të përmbushura po u përmbyllur të gjitha fazat.
“Në rastet kur veprimet janë miratimi i legjislacionit, nuk mund të themi se veprime të tilla janë përmbushur pa u miratuar legjislacioni në Kuvend si dhe e njëjta vlen edhe për veprime të tjera, ku progresi nuk do të thotë përmbushje”, ka thënë Hoxha.
Ministrja Hoxha ka ftuar të gjithë ministrat dhe përfaqësuesit e institucioneve që të deklarohen nëse kanë ndonjë koment lidhur me raportin e ERA 1, në mënyrë që pas këtij takimi ta finalizojmë këtë raport i cili do t’i hapte rrugë fillimit të diskutimeve me Zyrën e BE-së për prioritetet e ERA 2.
Ministrat dhe përgjegjësit e dikastereve, diskutuan për angazhimin e secilit dikaster veç e veç, duke u fokusuar në kohën e mbetur për të maksimalizuar të arriturat e ERA 1 si dhe propozimet për ERA 2.
/Epoka e re/