Ministrja Hoxha kërkon më shumë punë për zbatimin e MSA-së
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në mbledhjen e Qeverisë ka prezantuar gjendjen rreth zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, bazuar në të gjeturat e raportit të hartuar nga Ministria e Integrimit, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse.
Hoxha ka thënë se gjatë kësaj periudhe është arritur një shkallë e përgjithshme e zbatimit të Programit prej 24.33 për qind, pasi 18 nga 74 masat e planifikuara për këtë tremujor janë zbatuar, ndërsa pjesa e mbetur prej 56 masave ose 76.67 për qind, ende nuk kanë arritur të zbatohen.
Përveç këtyre, 27 masa janë zbatuar para afateve të planifikuara. Deri në fund të tremujorit të dytë janë zbatuar gjithsej 68 masa, të cilat përbëjnë 12.78 për qind të të gjitha masave të planifikuara.
“Programi për këtë vit, përmban 532 masa afatshkurta, prej të cilave 144 ose rreth 27 për qind janë masa legjislative, ndërsa 388 masa, ose rreth 73 për qind prej tyre, janë masa zbatuese”, ka thënë Hoxha.
Më tutje, ajo ka theksuar se ku duhet të bëhen reforma që kërkojnë vëmendje në pjesën e mbetur të vitit, si miratimi i ligjeve, politikave, strategjive, etj.
Po ashtu, Hoxha ka paraqitur për miratim Projektligjin për ratifikimin e plotësim-ndryshimit nr. 1 të marrëveshjes financiare për IPA 2015 në mes të Kosovës dhe BE-së, e cila është nënshkruar më 13 korrik 2018. Ky projektligj është miratuar në Qeveri dhe do të procedohet për aprovim në Kuvend.